
Partia Aleanca Demokratike ka përsëritur dje apelin ndaj forcave politike, që të japin mbështetje për Neritan Cekën, ish-kreun e PAD-së, që të jetë Presidenti i ardhshëm i vendit. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i PAD-së Eduard Abazaj u ka bërë thirrje partive politike që të propozojnë akademikun Neritan Ceka si kandidat për postin e kreut të ri të shtetit. Sipas nënkryetarit të Partisë Aleanca Demokratike, mbështetja e klasës politike për Neritan Cekën do t’i bëjë nder edhe procesit për zgjedhjen e Presidentit të ri. Në deklaratën e PAD-së thuhet se Ceka është kandidati më konsensual për President. Vetë kandidati Neritan Ceka deklaroi ditë më parë, në një intervistë për “Panorama”, se i përmbush kriteret për të qenë një kandidaturë dinjitoze për postin e kreut të shtetit. “Për të qenë President i Republikës duhet të kesh një karrierë të gjatë politike, duhet të jesh profesionit, pra duhet të kesh qenë deputet i lidhur me procesin ligjor, politikëbërjen dhe natyrisht të kesh një background historik, të vish nga diku dhe të kesh vënë disa tulla në ndërtesën e shtetit. Synimi i kësaj është që të hiqet dorë nga improvizimet për kandidaturën e Presidentit, të futet kjo procedurë në kanale kushtetuese, por dhe politike”, është shprehur Ceka.











