
Ish-Presidenti i Kosovës flet për forumin e përbashkët organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës, “Hapësira e përbashkët ekonomike shqiptare”
Z. Pacolli, çfarë përfaqëson forumi që ju po udhëhiqni në Tiranë?
Busulla intelektuale e mendjes së kombit nuk të lë të gabosh sikur je duke udhëtuar fillikat në këtë horizont, sikur mban përgjegjësi publike, si një pjesë jona sot. Unë dua që idetë intelektuale, puna ime, kontributi i miqve të mi të politikës dhe të biznesit të bashkohen në një fluks të përbashkët energjish, në një lëvizje qytetare, mbarëkombëtare, që t’ia nisë që sot e të punojë për realizimin e ideve tona përbashkuese. Forumi në fjalë është përpjekje në këtë drejtim. Unë dua të falënderoj në mënyrë të veçantë dy universitetet, atë Europian të Tiranës dhe universitetin “Fama” në Prishtinë. Ata vendosën të na mblidhnin këtu, njerëz të politikës, të botës akademike dhe të biznesit, për të diskutuar për një temë kaq të madhe me një horizont kaq të gjerë idesh të ndritshme.
Idenë e hapësirës së përbashkët e hodha për herë të parë në Parlamentin e Shqipërisë dhe ajo krijoi entuziazëm të madh te shumë intelektualë të shquar të hapësirës sonë. E diskutova idenë e këtij forumi me drejtuesit e UET-it qëkur isha këtu në mars, në veshjen e Presidentit të Kosovës, dhe jam tejet i nderuar që ata e pranuan patronatin tim për realizimin e tij.
A ekziston rrezik se kjo ide mund të krijojë keqkuptime te mjedisi europian?
Jo, përkundrazi. Është një ide e kahershme e Bashkimit Europian, janë shumë direktiva të tij që u kërkojnë vendeve të Europës Juglindore që të krijojnë para se të anëtarësohen në bllok në këtë bashkim, njëlloj hapësire të përbashkët ekonomike, të ngjashme me Komunitetet Europiane. CEFTA etj., janë iniciativa në këtë kahje. Është afërmendsh se shqiptarët që i përkasin një kombi të copëtuar në disa shtete, të angazhohen të parët për krijimin e kësaj hapësire. Unë e kam theksuar dhe më herët se koha punon për shqiptarët. Hapja u shërben aspiratave të tyre kombëtare. Duke lënë mënjanë patetizmat, ne duhet të punojmë për mirëqenien e kombit tonë. Askush nuk mund të na pengojë për këtë. Askush s’ka të drejtë të na pengojë për këtë.
Duke folur në frymë pozitive, më duhet të them se institucionet europiane ku ne duam të hyjmë na nxisin të punojmë për këtë mirëqenie. Në përputhje me modelet europiane, në mbrojtje të interesit tonë kombëtar, ne mund të punojmë pa trembur askënd.
Për fat të mirë, aspiratat tona kombëtare, ëndrrat e patriotëve tanë të mëdhenj nuk shkojnë kundër proceseve europiane në të cilët ne jemi kyçur.
Ne duke ecur në pista europiane mund të rikrijojmë realitete ekonomike kombëtare konkurrenciale, prej të cilëve nuk do të fitonin vetëm shqiptarët, por dhe popullsitë që jetojnë bashkë me ta, apo pranë tyre.
Më konkretisht, si i shihni sot Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa ju e hidhni me forcë këtë ide?
Ne sot jemi ndër shtetet më të varfra dhe të pazhvilluara të Europës. Me gjithë njëlloj diference pozitive të Shqipërisë sa u takon të ardhurave për frymë, përqindja e popullsisë që jeton nën dyshemenë e varfërisë është thuajse e njëjtë. Papunësia është njëlloj e lartë, duke u luhatur tek 30-50% nëse do t’i marrim për të sakta të dhënat e burimeve zyrtare statistikore. Ne jemi vende që nuk prodhojmë, ose prodhojmë fare pak. Ne jemi vende që po e braktisim traditën tonë të punimit të tokës, ndryshe nga fqinjët tanë, që e punojnë tokën disa herë më shumë sesa ne që e lëmë djerrë. Ne jemi vende që blejmë më shumë sesa shesim, pra ne jemi vend që importojmë shumë më shumë sesa eksportojmë. Ne jemi të vetmet vende në Europë, megjithëse me rezervat ujore dhe të thëngjillit më të mëdhatë për frymë popullsie, kemi vuajtur së bashku nga kriza energjetike, megjithëse Shqipëria ka disa vite që është shkëputur prej saj.
Ne jemi vende pa modele të qarta zhvillimi, siç pohojnë këtu dhe atje autoritete të rëndësishme profesionale, si guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Ne nuk po identifikojmë dot prioritetet tona të zhvillimit. Ne nuk po mësojmë nga gabimet e të tjerëve.
Kjo situatë është dramatike. Ne e dimë siç e kanë afirmuar profesorë të shquar që do të referojnë në këtë konferencë, se pjesa më e madhe e problemeve të moszhvillimit janë për shkak të copëtimit nga fqinjët. Viset shqiptare para 1913-s përfaqësonin një unitet ekonomik dhe demografik të krahasueshëm me popujt e tjerë të rajonit, grekët, serbët, apo bullgarët. Por ne duhet t’i gjejmë sot gabimet te vetja, dhe jo tek të tjerët.











