Eurodeputetja Doris Pack, duke i vleresuar deklaratat e presidentit te ri te Serbise të “befasishme dhe të pakuptueshme”, pranon se me to ai po demton edhe vete Serbine.
Sipas saj ai ka dëmtuar raportet fqinjësore dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, madje edhe rrugën e Serbisë drejt BE-së.
Në Bruksel deri tani thuhet se kanë besim të plotë tek deklaratat e Nikolicit, i cili gjatë fushatës elektorale ka premtuar se do të vazhdojë rrugën evropiane të Serbisë. Por ka dhe të tillë që thonë se BE-ja duhet të përgjigjet ndaj Nikoliqit me të njëjtën gjuhë – “të ashpër dhe jodiplomatike”.
Doris Pack rikujton se Nikolici ka qenë ndër nacionalistët më të mëdhenj dhe tani po përpiqet të ndryshojë këtë imazh. “Por tani po e shohim se ai nuk ka ndryshuar”, thotë Pack dhe shton: “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në vlerësimet tona. Shpresoj se ai mund të ndryshojë gjërat që i ka bërë Serbisë, sepse Serbisë dhe rajonit i ka shkaktuar shumë viktima, e jo Bashkimit Evropian”.
Duhet pasur kujdes në deklaratat për Srebrenicën
Pack pohon se nëse lideri i një vendi shpreh mendime si ato të Nikoliqit për Srebrenicën dhe Vukovarin, atëherë me atë lider duhet pasur shumë kujdes. Ajo u bën thirrje krerëve të BE-së që presidentit të Serbisë t’i thonë hapur se me deklarat e deritanishme nuk ka ndihmuar fare vendin e tij në rrugën drejt BE-së. Evropa duhet të shpreh qartë mendimin e vet ndaj këtyre deklaratave.
“Do të ishte dëm i madh nëse Nikolici mbetet në këto pozicione”, thekson Doris Pack. Por ajo shpreson se presidenti i ri serb mund të përmirësohet me kalimin e kohës dhe mund të bëhet një partner serioz në rrugën e Serbisë drejt integrimit në BE.











