KORÇE – “Më bënë një injeksion të skaduar, kushedi sa persona kanë helmuar me ilaçe të skaduara!”. Kështu deklaroi në Gjykatë dje pacienti 61-vjeçar, i akuzuar për rrahjen e mjekut Thoma Nini. Në seancën për vlerësimin e masës së sigurimit, Hajdar Bregu pranoi se e ka goditur mjekun, por ka ngritur pretendimin se ai është helmuar pas një serumi që i është bërë. “Pasi më bënë serumin, më nisi një hemorragji e tmerrshme. Kujtova se do të ndërroja jetë. Mora karrigen dhe godita mjekun. U lodha duke u hallakatur spitaleve. Në vend që të më shërojnë, po më sëmurnin më keq. Kam vite që hyj e dal në ato dyer, por mjekët janë tallur me mua. Nëse do të vdisja, doja që më parë të kisha marrë hakun”, u shpreh më tej para togave të zeza 61-vjeçari. Sipas versionit të dhënë nga Prokuroria, pacienti ka pasur diskutime me mjekun Nini për shkak të KEMP-it. Prej vitesh ai ishte shtruar disa herë në spital dhe kërkonte që të merrte pagesën si person i paaftë për të punuar. Pasi e ka rrahur me një dru (këmbë karrigeje), ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është arrestuar disa metra larg sanatoriumit ku ishte shtruar për të marrë mjekimin. Prokurori i çështjes kërkoi vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe dhënien e masës së sigurimit burg pa afat për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”, kërkesë e cila u mor parasysh nga gjykata. Mbrojtja e ka konsideruar të parrezikshëm 61-vjeçarin dhe kërkoi një masë më të lehtë nga ajo e qëndrimit në burg. Sipas versionit të dhënë nga mbrojtja, pacienti Hajdar Bregu, pasi ka marrë mjekimin, ka pasur shqetësime shëndetësore në formën e hemorragjisë, gjë e cila e ka tronditur atë duke u bërë edhe shkaku për grindjen mes tij dhe mjekut. Gjithashtu mbrojtja paraqiti një vërtetim që ai ka qenë disa herë i shtruar në këtë spital, certifikatë invaliditeti dhe ekzaminime të tjera që tregojnë një gjendje jo të mirë shëndetësore të pacientit. Sakaq nga familjarët jashtë sallës së gjyqit është konfirmuar se 61-vjeçari ka qenë jo i qëndrueshëm mendërisht.











