Pacientët kosovarë, trajtim në QSUT

Sep 12, 2012 | 12:49

Pacientët kosovarë do të vijojnë të marrin trajtim shëndetësor në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, e ka cilësuar këtë si një ndër marrëveshjet më të rëndësishme me Kosovën. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë pritjes së rezervuar për ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, Ferid Agani. Në një dalje të përbashkët publike për median, pas takimit, të dy zyrtarët kanë pohuar vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. “Do të vazhdojë të jetë një bashkëpunim i ngushtë profesional dhe efikas, duke siguruar një shërbim shëndetësor sa më cilësor për të gjithë shqiptarët në të dyja anët e kufirit”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo. Me tej, ministri i Shëndetësisë u ndal në memorandumin e firmosur në fushën e farmaceutikës dhe sektorin e kontrollit të cilësisë së barnave. Specialistë të të dyja institucioneve kanë kryer kontrolle dhe vizita të përbashkëta në fabrikat prodhuese të medikamenteve në të dyja vendet.

© Panorama.al

Te lidhura