Pa konsensus edhe raundi i fundit me 84 vota, Rama: Zaganjori ka shkelur Kushtetutën

Jun 8, 2012 | 12:38
Berisha e Rama gjate takimit ne kuvend

Maxhoranca dhe opozita nuk bien dakord për kreun e ri të shtetit.

Sot votimi i fundit me 84 vota, s’ka konsensus PD-PS.

Kuvendi vendos me shumicë votash që të mbajë sot raundin e tretë të votimit për Presidentin e ri të vendit. Pas debatit të zhvilluar në mbledhjen e së hënës në Konferencën e Kryetarëve, maxhoranca dhe opozita nuk ranë dakord për datën e votimit. PD-ja kërkoi që seanca të mbahet sot, ndërsa PS-ja të dielën, për t’u dhënë sa më shumë kohë në dispozicion negociatorëve. Në mbledhjen e djeshme të Kuvendit, 71 deputetë të PD-së votuan që seanca të mbahet pikërisht sot, ndërsa 58 deputetët e PS-së votuan kundër. Në radhët e shumicës mungonin Kryeministri Berisha, ministri i Mbrojtjes, Imami, si dhe kreu i FRD-së, Gazmend Oketa, ndërsa Kastriot Islami votoi kundër së bashku me opozitën. Gjatë votimit, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, abstenoi. Burime nga maxhoranca bëjnë të ditur për gazetën se raundi i tretë do të ketë fatin e dy raundeve të para. Megjithëse PD-ja së bashku me aleatët vazhdojnë të mbështesin fort kandidaturën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, edhe në këtë raund nuk do të mblidhen votat për ta hedhur atë në votim. Ky do të jetë raundi i fundit kur kërkohet vota e opozitës, pasi në raundin e katërt, sipas ndryshimeve të fundit kushtetuese, mjaftojnë vetëm 71 vota. “Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në pikën 3 të nenit 87 të ligjit themeltar. Nga ana e saj opozita vazhdon t’i qëndrojë propozimit për të nisur një proces të ri konsultimesh me maxhorancën, pasi kjo e fundit të ketë tërhequr më parë emrin e Zaganjorit. Megjithëse raundi i dytë u ezaurua të hënën në mesditë, deri në mbrëmje vonë nuk ka pasur asnjë tërheqje si nga maxhoranca dhe opozita, çka e detyron Kuvendin të djegë edhe raundin e tretë. Dita e sotme do të nisë sërish me mbledhjen e Komisionit të Ligjeve në orën 9:00. Deri në këtë orë, partitë kanë afat që të mbledhin firmat për kandidatët që do të mbështesin, por duke parë ngjarjet deri minutën e fundit, kjo gjë pritet të mos ndodhë. Gjatë mbledhjes së Komisionit do të miratohet edhe raporti që do t’i shkojë seancës parlamentare. “Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e sotme të datës 08.06.2012, konstatoi se deri në afatet e përcaktuara nga Kuvendi nuk është depozituar asnjë kandidaturë për President të Republikës. Në këto kushte, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në zbatim të nenit 87, pika 2 të Kushtetutës, i cili thotë: ‘Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat’, i paraqet seancës plenare për informim këtë raport, me qëllim përmbylljen e procedurave për votimin e tretë të Presidentit të ri të Republikës”, thuhet në raportin që pritet të lexohet në Komision. Pas seancës do të mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve, e cila do të përcaktojë sërish datën për raundin e katërt të votimit.

Raundi IV
Pas mbledhjes së sotme të Parlamentit, Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet për të caktuar ditën e raundit të katërt të votimit. Nëse shumica dhe opozita bien dakord për datën, gjithçka do të ecë sipas parashikimit. Por nëse PS nuk pranon datën që propozon PS, duhet ta vendosë seanca, e cila si rregull do të mblidhet të enjten. Kjo ditë është edhe afati i fundit sipas Kushtetutës kur mund të mbahet raundi i katërt, çka e detyron Konferencën e Kryetarëve të afrojë edhe ditën e mbledhjes së Parlamentit për të caktuar ditën e votimit për Presidentin.

Rregullorja
“Në rast se në votimin e tretë nuk arrihet shumica prej tri të pestave të votave, Konferenca e Kryetarëve menjëherë cakton datën e votimit të katërt, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të tretë. Për votimin e katërt dhe sipas pikës 2 të këtij neni mund të paraqiten kandidatë të rinj nga jo më pak se 20 deputetë, që s’kanë marrë pjesë në asnjë grup propozues në votimet pararendëse, ose kur kandidati që ata propozuan në votimet pararendëse është tërhequr”, thuhet në pikën e tretë të nenit 109 të Rregullores së Kuvendit.

Statusi
Për kandidatin e vetëshpallur për President, qëndrimi i deritanishëm i kryetarëve të dy partive po penalizon vendin për në BE. “Jemi në prag të provimit të tretë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, por politizimi i tepruar, mungesa e mirëbesimit mes palëve, mbytja e garës dhe konkurrencës së lirë, nxitja e konfliktualitetit, e llogorizimit, e militantizmit shterpë apo e klientelizmit privat të kryetarëve, po e lëvizin Shqipërinë jashtë aksit të meritës për ta kaluar me sukses këtë provim”, thuhet në apelin e djeshëm.

Meta: I qëndrojmë marrëveshjes me PD
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, mbështeti sërish dje kandidatin e pranuar nga e gjithë maxhoranca, Xhezair Zaganjori. Në një konferencë për mediat pas takimit me drejtorin për Zgjerim në BE, Stefano Sannino, Meta tha se i shprehu atij se kandidati i maxhorancës plotëson kriteret për President konsensual. “Mendoj që konsensusi politik është shumë i rëndësishëm, por natyrisht që, në çdo rast, është realizuar një proces pavarësisht nga thellësia e tij. Është realizuar një proces i gjerë dhe në fund të fundit është i rëndësishëm edhe produkti. Dhe unë besoj se produkti është gjithashtu mjaft cilësor”, u shpreh Meta. Sipas tij, kandidatura e Zaganjorit i plotëson të gjitha kushtet për të qenë konsensuale. “Unë besoj se kandidatura që maxhoranca ka propozuar i plotëson kriteret për kandidaturë konsensuale. Lidhur me kandidaturën e tij unë kam bërë vlerësimet e mia publike. Ai ka kontribuar në procesin për ta bërë të debatueshëm, por LSI do t’i qëndrojë marrëveshjes. Ka një marrëveshje edhe për Presidentin me PD, pavarësisht vlerësimeve për kandidaturat e Presidentit”, deklaroi Meta.

Pollo: PS të kandidojë Nanon
Ministri i Teknologjisë, Genc Pollo, vlerëson kandidaturën e Fatos Nanos për President. Futja e Nanos në garë nga partia e tij, për Pollon, do ta bënte interesante atë. “Zoti Nano, siç e thotë dhe vetë, është babai historik i Partisë Socialiste. Do të ishte interesante nëse ai futej në garë nga partia e tij. Përfshirja e zotin Nano në politikën e ditës do ta bëjë më interesante skemën politike shqiptare”, u shpreh ministri Pollo. Duke konfirmuar se në raundin e tretë Xhezair Zaganjori do të jetë kandidatura e maxhorancës, ministri Pollo nuk përjashton mundësinë e përfshirjes së një tjetër emri në raundin pasardhës. Por gjithmonë, sipas tij, në staturën e Zaganjorit. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, shprehet se PS duhet të përcaktojë qëndrimin e saj për Zaganjorin. “Ne kemi ofruar një kandidat, presim vlerësimin e opozitës për të. Ne e kemi ofruar si kandidat mbi palët, konsensual, i cili besoj se përfaqëson një intelektual me vlera të jurisprudencës dhe po ashtu dhe në diplomaci. Tani mbetet që opozita të përcaktojë qëndrimin e vet për zotin Zaganjori ose nëse ka vlerësim për kandidatura të tjera, të sjellë kandidatura të tjera. Mendoj se kemi zgjedhur një kandidat për President, dhe jo një kandidat për raunde. Këtë e kemi bërë në një diskutim të përbashkët të maxhorancës. Ne kemi qenë seriozë në përpjekjet për të arritur konsensus, i cili mund të arrihet dhe në raundin e pestë”, u shpreh dje Mediu.

Gjermania: President që përfaqëson dy palët

Ambasadorja gjermane, Karola Myler Holtkemper

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Myler Holtkemper, tha dje se kreu i ri i shtetit duhet të zgjidhet një personalitet që përfaqëson të dyja palët. Duke folur nga qyteti i Durrësit, ajo u shpreh se ka akoma mundësi në dy raundet e tjera të votimit në Parlament për të zgjedhur një kandidat me shumicë të gjerë. “Iu bëj apel të gjithë politikanëve shqiptarë që të zgjedhin atë njeri që do t’i përfaqësojë më mirë që të dyja palët. Është mjaft e rëndësishme që kjo të bëhet brenda afateve që përcakton Kushtetuta shqiptare. Jemi në raundin e tretë dhe ka akoma dy mundësi. Mendoj se ky është një proces që u takon shqiptarëve dhe duhet të jetë një njeri që t’i përfaqësojë”, deklaroi ambasadorja gjermane.

Berisha me Saninon: Mbështesim Zaganjorin

Berisha e Sanino dje gjatë takimit

Kryeministri Sali Berisha u takua dje me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sannino. Gjatë diskutimit mes tyre u prek edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit, ku kreu i maxhorancës konfirmoi qëndrimin për të mbështetur kandidaturën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. “Kryeministri Berisha theksoi se në respekt të angazhimit të tij të bërë publik prej kohësh, procesi që po zhvillohet është në përputhje të plotë me germën dhe frymën e Kushtetutës, i bazuar në negociata dhe konsultime. Ai shprehu besimin se procesi që po zhvillohet në Parlament dhe kandidatura e ofruar nga maxhoranca, përmbush më së miri kushtet dhe kriteret që ky proces të përmbyllet me zgjedhjen e një Presidenti të Republikës që siguron konsensus dhe mbështetje të gjerë të forcave politike dhe opinionit publik”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

ADI SHKEMBI

Rama: Zaganjori shkel Kushtetutën, votoi kundër PS

Kreu i PS: Rrezikojmë dimrin e vetmisë

Kryetari i PS, Edi Rama, dje gjate takimit me drejtorin e zgjerimit te BE, Stefano Sanino

“Presidenti me 71 vota, e pakapërcyeshme për BE për të mos na e dhënë statusin”
Në vitin 1613, Shekspiri flet te Henri VIII për limbon, një vend as në ferr, as në parajsë jo e jo, që më vonë mori kuptimin metaforik të burgut, izolimit, inkapsulimit, por që s’është asnjëra nga të tria e mund të shpjegohet përmes të triave bashkë njëkohësisht. Limbo është vendi që shkencëtarët e kompjuterëve i vënë hapësirës së padukshme të materialeve të fshira sysh, por jo ende të zhdukura fizikisht nga magazina e kujtesës – si ato në Recycle Bin-in e Windows. Në limbo rrezikon të hyjë Shqipëria vitin e ardhshëm e kushedi për sa vite akoma, nëse e humb shansin për të marrë statusin e kandidatit për Bashkimin Europian këtë vjeshtë.
Ja pse unë jam tejet i shqetësuar dhe tërësisht i përkushtuar për të realizuar çka na kërkohet hapur, shkoqur, pa asnjë vend për ekuivok e humbje kohe nga Bashkimi Europian, po edhe nga Shtetet e Bashkuara që mbështesin fuqimisht axhendën e integrimit të Shqipërisë në Europë.
Katër pika janë në tryezën e politikës shqiptare. Janë ato katër pikat që ne, socialistët, vumë në tryezën e kuazidialogut me qeverinë. Ato katër pikat që Kryeministri rendi t’i quante ultimatume, kushte, tentativë bllokuese. Njëra është zgjedhja e Presidentit me konsensus. Tjetra reforma zgjedhore. Tjetra reforma parlamentare. Tjetra akoma heqja e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të zgjedhur të këtij vendi. Janë veç e janë gjithashtu bashkë që të katërta, s’janë si një meny ku mund të zgjedhësh nëse preferon ngjalë, byrek me spinaq apo thjesht një supë të lehtë. E për më tepër kohë për të humbur s’ka, duhen marrë të gjitha, një e nga një, dhe duhen zgjidhur pa ngurrim, që të gjitha bashkë, brenda këtyre pak javëve. S’ka sekret këtu që ia kam thënë në sy Kryeministrit, siç e kam thënë edhe publikisht dhe do ta përsëris sa të mundem, pavarësisht se kush duhet ta dëgjojë mund të mos ketë veshë për ta dëgjuar. Jam tejet i shqetësuar sepse Shqipëria s’duhet të hyjë në limbo vitin e ardhshëm, në asnjë mënyrë jo.
E ja si mund të ndodhë dhe çfarë mund të ndodhë më tutje nëse do të ndodhë kështu siç po ndodh: Qeveria këmbëngul se Xhezair Zaganjori, kandidati i konsensusit brenda palëve në pushtet, është e vetmja ofertë e mundshme për konsensus që mund t’i bëhet opozitës. Opozita nga ana e saj s’mund të japë konsensus për Xhezair Zaganjorin, me gjithë dëshirën e vullnetin e plotë për të bërë atë që i takon që Shqipëria ta marrë statusin e kandidatit në BE. Sepse kjo kandidaturë është e njëanshme, është e paraqitur krejt njëanshmërisht. Dhe për ne është një kandidaturë me më shumë se një cen edhe në vetvete, pasi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm ka votuar rregullisht kundër ankimeve tona në atë gjykatë, po edhe qëndron në karrigen e gjykatësit kushtetues në shkelje flagrante të Kushtetutës. Pra, për të gjitha këto kandidati i konsensusit brenda palëve qeverisëse s’jep asnjë garanci që ta bëjë opozitën të shpresojë në një qëndrim asnjanës të tij si President i Republikës.
Shkojmë më tej me skenarin që po zhvillohet, duke e marrë të mirëqenë për momentin se qeveria nuk heq dorë nga kjo kandidaturë dhe, mes konsensusit të domosdoshëm për statusin e ri të Shqipërisë në BE dhe kandidatit të saj të njëanshëm, zgjedh të dytin. Opozita mbetet kësisoj në pamundësinë për të dhënë konsensus përballë një kandidature të vetme dhe të imponuar si e vetmja e mundshme nga qeveria. Xhezair Zaganjori zgjidhet me 71 vota (nëse edhe promotori i konsensusit mes palëve qeverisëse, Ilir Meta, harron parimin nga u nis në fillim dhe niset në fund nga shkelja e parimit – që ishte konsensusi mes qeverisë dhe opozitës). Qeveria “fiton” kështu një garë pa garë, krejt të kotë në funksion të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, dhe Shqipëria hyn në rrugën e humbjes së garës me vetveten drejt provimit të 12 tetorit.
S’ka dyshim se familja europiane, po as aleati ynë i madh SHBA, nuk do të vënë kujën nëse ndodh kështu. Por s’ka farë dyshimi po ashtu se nuk do ta shënojnë si pikë të zgjidhur ashtu siç do të duhej këtë pikë kaq kyçe për të vlerësuar politikën shqiptare si e tërë në vigjiljen e provimit të madh. Pra ky do të jetë një minus i rëndë më shumë për verdiktin e 12 tetorit dhe një arsye thuajse e pakapërcyeshme për familjen europiane ku duam të hyjmë për të mos na e dhënë statusin. Na rroftë pastaj Presidenti i zgjedhur njëanshmërisht, nëse për shkak të moskonsensusit nuk marrim konsensusin e vendeve anëtare të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat!
Kështu si e ka trajtuar qeveria këto vite integrimin europian dhe për shkak se shqiptarët përveç heqjes së vizave, s’kanë parë ndonjë të mirë të prekshme të këtij procesi në realitetin e shtetit të tyre, shumëkush mendon krejt gabimisht se statusi është thjesht një certifikatë. Por, në të vërtetë, statusi është një stad i ri, pa të cilin viti dhe vitet e ardhshme mund të kthehen në një mundim ende më të madh për Shqipërinë e për shqiptarët. Pse? Sepse familja europiane sot po përballet me sekëlldira të jashtëzakonshme dhe vitin e ardhshëm mund të mos jetë më as kjo që është dhe, pa dyshim, as kaq e gatshme sa ç’është sot për të na ndihmuar me të tëra mënyrat që ta kapërcejmë hendekun që na ndan prej saj.
Nëse Greqia nuk ia del dot dhe del nga zona e euros, një reaksion zinxhir mund ta fusë Europën e Bashkuar në vorbullën e një krize të brendshme ku e fundmja gjë për të cilën Brukseli do të mendonte, do të ishte afrimi më pranë i Shqipërisë problematike apo i të mbeturve të tjerë pa status. Dikush mund të thotë po edhe sikur ta marrim statusin këtë vit, përsëri Europa mund të jetë në të njëjtën vorbull dhe kësisoj asgjë nuk ndryshon për ne! Ah jo, tjetër një vend me statusin e kandidatit për anëtar i BE, dhe krejt tjetër një vend ngelës në vjeshtë tri herë me radhë i mbetur në limbo për shkak të vetvetes. E si njeriu që sipas të gjitha gjasave do të jetë në krye të qeverisë së këtij vendi në mesin e vitit të ardhshëm, unë nuk do të doja kurrë që opozita e sotme ta qeverisë nesër këtë vend të dërrmuar, ekonomikisht dhe institucionalisht, pa përkrahjen që do të na jepte të qenit kandidat për në BE për të kryer reformat drastike pa të cilat Shqipëria është e destinuar të zvarritet në gjunjë. Mbase Saliu e ka kuptuar që nuk ka më shanse reale për të qenë përsëri Kryeministër pas zgjedhjeve të ardhshme e prandaj edhe nuk po dëgjon fare nga veshi perëndimor i pushtetit të vet të sotëm. Por mbase thjesht nuk ka sy për ta parë errësimin e plotë të perspektivës europiane dhe social-ekonomike të Shqipërisë vitin e ardhshëm, në rast se nuk do të ulet në tryezën e konsensusit për Presidentin e për tri pikat e tjera.
Sidoqoftë, Kryeministri i sotëm nuk mund të mos e dijë se në ç’derexhe është ekonomia jonë dhe nuk mund të mos e kuptojë me një mundim fare të vogël, se humbja e trenit drejt BE në 12 tetor do të krijojë për të e për qeverinë e tij, po edhe për vetë Shqipërinë, dimrin e një vetmie të madhe jashtë Europës, përballë problemeve social – ekonomike që mund të kthehen në një ortek të papërballueshëm me moton e vjetër të forcave tona. Ndërsa unë, si Kryeministri i nesërm, nuk mund të mos bëj çdo gjë, deri në fund të mundësive jo të pakufishme të opozitës së sotme, për të penguar që ky parashikim i zymtë i diktuar nga një lexim aspak i vështirë i realitetit të Shqipërisë e të vetë Europës së sotme, të bëhet realiteti ynë i vitit 2013 e më tutje. Prandaj dua që medoemos të arrijmë konsensusin për Presidentin e për të tria pikat e tjera brenda qershorit dhe t’i drejtohemi njëzëri Brukselit, me detyrat e kryera të shtëpisë në dorë për të marrë provimin e tretë të vjeshtës për Shqipërinë.
Një Shqipëri me Europën më pranë, ose një Shqipëri në limbo! Kjo është në fakt zgjedhja që kemi në dorë për të përcaktuar fatin e vendit tonë të përbashkët vitin e ardhshëm e në vijim. Unë e kam bërë zgjedhjen time me përgjegjësinë e liderit të opozitës që nuk uron kiametin si rrugë për të marrë pushtetin. Uroj që kjo e deritanishmja të mos jetë zgjedhja përfundimtare e Kryeministrit të sotëm, me idenë se pas ikjes së tij nga pushteti le të bëhet edhe kiameti! Sot interesi kombëtar përputhet me realizimin e konsensusit. Ndërsa mosrealizimi i konsensusit është braktisja flagrante e vendit tonë në mëshirën e një fati që jashtë Europës s’ka asnjë gjasë t’i buzëqeshë Shqipërisë.
*Titujt janë të redaksisë.
Titulli origjinal: Limbo

© Panorama.al

Te lidhura