Osman(e) Shahini, burrnesha lë vendlindjen pas 82 vitesh

Jul 23, 2012 | 13:19

Ka punuar për 15 vjet në minierë, nëntokë, si burrat. U betua se nuk do të martohej kurrë, që në rini, që t’u shërbente prindërve e sot, në moshën 82-vjeçare, dikush duhet të kujdeset për të. Shtëpia i është rrënuar dhe ajo do lërë vendlindjen për të ardhur në Tiranë, për të ngrysur ditët në një azil të moshuarish.

Në minierë e kanë thirrur Osman, ndërsa në fshat Osmane. Deri tani banon në fshatin Bejnë të bashkisë Klos, ndërsa ka përgatitur dokumentet për t’u “dorëzuar” në një azil të Tiranës. 15 vjet ka punuar nëntokë, bashkë me minatorët e Batrrës. Ndërkohë pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në fshat, si çobaneshë. Nuk është martuar kurrë. Vishet e sillet si burrë. Megjithëse ka jetuar më shumë se tetë dekada, është e ndrojtur. Mosha ka bërë të sajën. Nuk dëgjon mirë. Nuk di as shkrim e as këndim. Thotë se deri në moshë madhore iu përkushtua prindërve të saj. Jeton në një banesë të vjetër, gati të rrënuar. Nuk e ndihmon askush. Dy vëllezërit janë larguar prej kësaj shtëpie, ndërkohë fqinjët as që e shohin Osmanen. Prej disa ditësh troket në zyrën e nënkryetarit të Bashkisë Burrel, Mexhit Sina. Ka përgatitur me ndihmën e tij të gjitha dokumentet ligjorë për t’u strehuar në azilin e të moshuarve në Tiranë. “Nuk mund të rri vetëm. Askush nuk më vjen në ndihmë. Nuk më vjen hiç keq që po largohem prej këtu. Shtëpia po shembet”, shprehet e moshuara e vetmuar.
Është burrë apo grua 82-vjeçarja? Minatorët e Krastës dhe kuadrot e minierës “11 heronjtë e Batrrës” e kanë thirrur Osman. Ndërkohë të afërmit dhe banorët e fshatit përherë e kanë thirrur Osmane. Teksa “guxojmë” ta pyesim: Nëse do të martohej, do të merrje burrë apo grua? Ajo përgjigjet me zë të mekur: Burrë! Pra Osmania lindi femër, jetoi, u rrit dhe u plak si burrë. “Kurrë nuk kam menduar të martohem. U jam përkushtuar prindërve të mi. Nuk ka guxuar njeri të më thotë fjalë që i thuhen një femre”, shprehet Osmane Shahini.
Udhëtojmë bashkë me të nga qyteti i Klosit deri në Bejnë. Djemtë e atij fshati na transportojnë me mjetin e tyre. Pasi ecim 4 kilometra, mbërrijmë një kodër të fshatit. Aty janë disa ndërtesa, njëra pranë tjetrës. Shtëpia më e dëmtuar është ajo e Osmanes. Ngjisim disa shkallë të drunjta, të ndërtuara shumë dekada më parë. Ajo hap derën (derë i thënçin) dhe hyjmë në bujtinën e saj. Gjithçka është grumbulluar në një dhomë 3 x 3 m. Mbi krevatin e drunjtë Osmania ka vënë të paktën 10 qese të mëdha plastike, të mbushura me rrobat e saj. “I kam bërë gati se do t’i marr me vete në azil. Plaçkat e tjera i kam shitur në fshat”, thotë ajo dhe tregon disa sende që nuk vlejnë për asgjë. Muaj më parë i kanë vjedhur të holla dhe kjo është një tjetër shtysë që burrnesha ikën nga fshati i lindjes, ndoshta për të mos u kthyer kurrë.
Kur keni lindur, sa vëllezër e motra keni dhe ku keni punuar gjatë jetës suaj?
Datën e lindjes nuk e mbaj mend, por sipas prindërve kam lindur në vitin 1930. Kam një motër të martuar dhe dy vëllezër. Njëri banon në Tiranë dhe tjetri në një lagje tjetër të fshatit Bejnë. Deri në vitin 1970, pra në moshën 40-vjeçare kam punuar pranë familjes sime, kryesisht me blegtori dhe në ish-kooperativën bujqësore. Isha e gjallë dhe bëja çdo punë. Në ato vite prindërit u ndanë nga djemtë dhe unë vendosa t’u përkushtohem vetëm atyre. Vendosa të mos martohem kurrë. Pas një viti kërkova leje në ish-Komitetin Ekzekutiv të Rrethit për të punuar në minierën e kromit Batërr. Fatmirësisht leja m’u dha pa shumë pengesa. Fillimisht drejtuesit e minierës më caktuan në punë të lehta, më pastaj për shumë vite kam punuar në front, në nxjerrjen e kromit. Punoja me lopatë po aq sa burrat dhe mbushja vagonët. Nuk e kisha problem fare. Punoja sa burrat. Ndërkohë isha e respektuar nga drejtoria e ndërmarrjes, specialistët dhe minatorët. Punova në minierë deri në vitin 1986, deri atëherë kur dola në pension.
Ku flije dhe si e kaloje kohën në qytetin e minatorëve?
Në dhomë flija me tetë burra minatorë, madje më patën caktuar si përgjegjëse të dhomës. Të gjithë më thërrisnin Osman. Respekti ishte i plotë dhe i ndërsjellë. Për 15 vjet nuk pati minator të më thotë gjysmë fjale të keqe apo që lidhej me marrëdhëniet mes meshkujve e femrave. Hanin, pinim, bisedonim si të barabartë. Flija kur të doja dhe zgjohesha herët për në punë, që në orën pesë. Në vitet e para kam punuar vetëm turni i parë, më vonë edhe i dytë dhe tretë. Vetë e kisha zgjedhur këtë punë dhe nuk bëja zë.
Çfarë është kjo që mbani mbi jelek?
Ne minatorët e Batrrës, afro 30 veta, punuam në vitet 1972-1974 në elektrifikimin e zonës së Martaneshit. Transportonim shtylla, tel, hapnim gropa dhe ndihmonin specialistët elektricistë. Atëherë, kur Martaneshi u elektrifikua, u dha një dekoratë. Ajo m’u dha vetëm mua. Siç e shihni, ajo shkruan “30-vjetori i çlirimit”. Jam shumë krenare që kam punuar edhe për elektrifikimin e krahinës së Martaneshit, përkrah burrave e grave të mira të kësaj zone.
Sa pension merrni dhe si jetoni aktualisht?
Unë marr 13 mijë lekë pension miniere. Për veten time ai më mjafton. Por, tani nuk mund të jetoj aty ku më lindi koka. Shtëpia është e vjetër dhe po shembet. Gjatë dimrit gjithë shiu bie brenda. Një dhomë që pata ma ngushtuan njerëzit e mi. Po ashtu fqinjët nuk më duan. Jam e thyer në moshë dhe duhet që vitet e mbetura t’i kaloj diku tjetër, në azil.
Kush ju ka ndihmuar të shkoni atje?
Deputeti Qemal Minxhozi dhe nënkryetari i Bashkisë Klos, Mexhit Sina, më kanë ndihmuar të përgatis dokumentet dhe ndoshta brenda këtyre ditëve do ta lë fshatin dhe do të strehohem në azil. Më vjen keq ndonjëherë që do ta lë vendin e lindjes, por në këto kushte nuk mund të jetoj.
Kohët e fundit banesa juaj është grabitur.
Po. “Dikush” ka hyrë në shtëpi dhe më ka vjedhur të gjitha të hollat që kisha. Jam e moshuar dhe nuk i njoh lekët, pra nuk di sa para kam pasur në dy zarfe të fshehura në rrobat e shtëpisë. U ankova në polici, por autori nuk u gjet. Tani kam vendosur që paratë e pensionit t’i dorëzoj në azil dhe të jetoj vitet e mbetura atje.
Pse nuk vajte te njerëzit e tu të afërm?
E pleqërova edhe këtë që thoni ju. Pasi u mendova mirë, vendosa të mos shqetësoj askënd. Ata kanë familjet e tyre dhe pse t’i fus në sherr me gratë apo fëmijët. Secili kërkon ta ndërtojë jetën siç dëshiron.
A nuk ju vjen keq që nuk u martuat dhe të kishit edhe ju fëmijët tuaj, të cilët do t’ju vinin në ndihmë në këtë moshë të thyer?
Kështu vendosa që në rini dhe nuk jam bërë pishman aspak. Duke parë si ka ardhur koha, nuk më vjen keq pse nuk kam fëmijë. Shoh bashkëfshatarët apo miqtë që kanë plot fëmijë, por jetojnë si unë, të vetëm. Disa kanë emigruar jashtë vendit dhe nuk i shohin fëmijët as një herë në 10 vjet, të tjerë janë braktisur nga ata. Shumë i kanë fëmijët vetëm në letra, ndërsa realisht jetojnë vetëm, madje si puna ime.

HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura