OSBE, tri propozime për barazinë gjinore ndaj PD-PS

May 11, 2012 | 12:45

Komisioni i Reformës Zgjedhore

Komisioni i Reformës, në diskutimet e fundit me ekspertët e ODIHR-it.

Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka depozituar ditën e hënë tri propozime që lidhen me përfaqësimin gjinor të grave në listat zgjedhore. Edhe pse propozimet për të përfshirë në listat zgjedhore gratë në masën e 30% janë bërë dhe nga organizata joqeveritare, përsëri Komisioni i Reformës ende nuk ka hartuar një formulim të qartë në këtë funksion. Propozimet e hartuara nga prezenca e OSBE-së në Tiranë saktësojnë dhe detyrojnë partitë politike të zbatojnë në mënyrë rigoroze përcaktimet ligjore që pritet të përfshihen në Kodin e ri Zgjedhor, pa lënë asnjë hapësirë interpretimi. “Në listën e kandidatëve të secilës parti, të paktën 30% të jenë meshkuj dhe të paktën 30% femra, me të paktën një kandidat nga secila gjini në çdo grup të njëpasnjëshëm prej tre kandidatësh, duke filluar nga fillimi i listës e deri në fund”, thuhet në propozimin e parë. OSBE është kujdesur që prezenca e grave në Parlament të mos ndryshojë edhe në rast se një deputete lë mandatin. “Nëse vendi i deputetit/es mbetet bosh (jep dorëheqjen, shkarkohet etj.), duhet të zëvendësohet nga kandidati i ardhshëm në listë i së njëjtës gjini”, thuhet në propozimin tjetër të hartuar nga prezenca e OSBE-së në Tiranë.
Ndryshe nga 2009-ta, kur përqindja e grave në listat zgjedhore u la në dorë të partive politike, të cilat nga ana e tyre në shumë raste i vendosën gratë kandidate në vendet e ulëta të listave, atje ku partia nuk kishte mundësi të merrte aq deputetë, OSBE është kujdesur që, përmes propozimit tjetër të saj, norma 30% e përfaqësimit të grave në Parlament të mbetet e pandryshuar.
“Nëse pas marrjes së të paktën dy mandateve të deputetit, kandidatët e gjinisë në pakicë në listën e kandidatëve të një partie nuk kanë marrë të paktën 30% të vendeve, kandidati i zgjedhur i fundit i gjinisë në shumicë do të zëvendësohet nga kandidati i radhës i gjinisë së kundërt, derisa numri i vendeve për gjininë në pakicë të jetë të paktën 30%”, thuhet në propozimin që OSBE-ja ka depozituar në Komisionin e posaçëm Parlamentar të Reformës zgjedhore.
Ekspertët
Komisioni i Reformës po punon ditët e fundit bashkë me ekspertët e ODHIR-it të atashuar pranë tij për t’i dhënë fund çështjeve të nxehta që nuk kishin gjetur zgjidhje mes PD dhe PS. Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, ekspertët e ODIHR për zgjedhjet dhe Robert Krimer, eksperti i teknologjisë së lartë, kanë gjetur formulimet përfundimtare për KQZ-në dhe procedurat ankimore.
Për mënyrën se si duhet të zgjidhet anëtari i shtatë i KQZ-së,
Partia Socialiste propozon që ai të emërohet nga Presidenti, ose nga organe të pavarura. Ndërsa Partia Demokratike insiston te skema aktuale e kompozimit. Por, çështja që ende nuk ka gjetur zgjidhje është ajo e formimit të KQZ-së dhe nisjes së mandatit të saj, pasi me ligjin aktual, KQZ-së i mbaron mandati në dhjetor të këtij viti. Socialistët kërkojnë që KQZ të ngrihet sa më shpejt të jetë e mundur, për të bërë implementimin e rregullave të reja që priten të miratohen në kohë.

Propozimet e OSBE-së për reformën zgjedhore
. Në listën e kandidatëve të secilës parti, të paktën 30% të jenë meshkuj dhe të paktën 30% femra, me të paktën një kandidat nga secila gjini në çdo grup të njëpasnjëshëm prej tre kandidatësh, duke filluar nga fillimi i listës e deri në fund.

. Nëse vendi i deputetit/es mbetet bosh (jep dorëheqjen, shkarkohet etj.), duhet të zëvendësohet nga kandidati i ardhshëm në listë i së njëjtës gjini.

. Nëse pas marrjes së të paktën dy mandateve të deputetit, kandidatët e gjinisë në pakicë në listën e kandidatëve të një partie nuk kanë marrë të paktën 30% të vendeve, kandidati i zgjedhur i fundit i gjinisë në shumicë do të zëvendësohet nga kandidati i radhës i gjinisë së kundërt, derisa numri i vendeve për gjininë në pakicë të jetë të paktën 30%.

Komisioni përfundon mandatin më 15 maj
Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore e përfundon punën e tij më 15 maj. Deri të martën, Komisioni i Reformës duhet t’i paraqesë Konferencës së Kryetarëve draftin për ta përfshirë atë në procedurën parlamentare. Komisioni ka shtyrë dy herë afatin e tij për pamundësi për ta përfunduar, siç ka qenë parashikuar, punën e tij, për shkak të qëndrimeve që palët kanë mbajtur në të. Pas ngërçit mes palëve për çështjen e procedurave ankimore, bashkëkryetarët e komisionit kanë pasur takime intensive ditët e fundit me ambasadorët e OSBE-së dhe BE-së në Tiranë për gjetjen e zgjidhjeve.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura