Të gjitha 90 vendvotimet të mundësuara nga OSBE, për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, u hapën sot në Kosovë në ora 07.15, njofton përmes një deklarate për media, misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer.
OSBE iu mundëson personave që jetojnë në Kosovë me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për president të Serbisë.
Marrëveshja është arritur edhe për zgjedhjet parlamentare, të cilat po ashtu u organizuan më 6 maj, bashkë me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Zgjedhjet e 6 majit, janë zhvilluar në mënyrë të qetë në Kosovë.











