Nëntë alpinistë kanë humbur jetën pas rënies së një orteku të paparashikuar afër resorit të skive, “Chamonix”, në alpet franceze. Viktimat janë nga Spanja, Gjermania, Zvicra dhe Britania. Nëntë ngjitës të tjerë u plagosën. Autoritetet lokale, sipas BBC, kanë dërguar skuadra shpëtimi me helikopterë dhe e kanë quajtur këtë ortekun më vdekjeprurës në zonë. Katër alpinistë të tjerë i mungojnë apelit. Alarmi u dha në orën 05:25 me orën lokale nga një prej të plagosurve në shpatet e Mont Maudit (Mali i Mallkuar). Kjo zonë kalohet shpesh nga turistët alpinistë për të shkuar në samitin e Mont Blanc (Mali i Bardhë). Gjithsej ishin 28 ngjitës mali të lidhur së bashku në disa grupe. Besohet se ata kanë arritur në lartësinë 4000 metra kur nisi orteku. Sipas kreut të komunës së “Chamonix”, Zhan-Luis Verdier, i cili foli për agjencinë “Reuters”, orteku ishte krejt i papritur.











