Numri i të vdekurve nga rrëshqitja e ortekut, i cili i ka goditur 15 shtëpi në anën e djathtë të fshatit Restelicë të Komunës së Dragashit, tashmë ka arritur ne nëntë.
Gjatë ditës së sotme, njësitet e kërkim-shpëtimit kishin gjetur 7 trupa të pajetë dhe një fëmijë rreth 5 vjeç. Ndërkaq, gjatë kërkimeve të së dielës janë gjetur deri më tani edhe 2 trupa të vdekur, ndërkohë që është duke u kërkuar edhe një person, i cili dyshohet të jetë nën rrënojat e shtëpisë, të cilën e ka goditur orteku i borës.
Këtë bilanc tragjik e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Shemsi Syla, zëdhënësi i Forcës së Sigurisë së Kosovës:
“Nëntë janë gjetur të vdekur dhe një i gjallë. Ndërsa, edhe për njërin, jemi në kërkim. Është një përkushtim i jashtëzakonshëm i pjesëtarëve të FSK-së, të cilët pa ndalur janë duke punuar me përkushtim. Normal, është një unifikim i solidaritetit edhe i njerëzve të tjerë, i popullit, i rrethit, i policëve dhe njësiteve tjera emergjente, që është një solidaritet i përgjithshëm. Në këto momente, patëm edhe delegacione nga Qeveria – kryeministri, ministra, komandanti i FSK-së dhe personalitete të tjera, që vizituan vendin e ngjarjes”.
Qindra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë përfshirë në operacionin e kërkim shpëtimit të mbështetur nga trupat e forcave paqeruajtëse dhe qytetarë të shumtë. Autoritetet thanë se orteku me një thellësi prej 10 metrash dhe me gjerësi prej 500 metrash ka goditur 15 shtëpi në fshatin Restelicë, që ndodhet në trekëndëshin Kosovë – Shqipëri – Maqedoni.
Operacioni është vështirësuar shumë gjatë orëve të natës për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe erës së fortë, që kanë pamundësuar depërtimin e makinerive të rënda në fshat.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e cilësoi ngjarje të rëndë dhe të trishtueshme humbjen e jetëve në Restelicë. Në një deklaratë për opinion thuhet se institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë, po bëjnë gjithçka që është e mundur që të ngujuarit të nxirren sa më shpejt.
Edhe qeveria e Kosovës duke shprehur ngushëllimet e saj për jetët e humbura ka theksuar se po ndjek nga afër situatën në fshatin Restelicë. Solidaritetin e tyre me situatën e kanë shprehur edhe partitë politike në vend.
© Panorama.al











