Orinda Huta nis bashkëjetesën me Turin, pushime në Barcelonë

Aug 13, 2011 | 14:24

Është sezoni i pushimeve dhe Orinda Huta ka zgjedhur Europën këto ditë gushti. Pasi ka bërë një xhiro në perëndim të saj, këngëtarja dhe moderatorja ka vendosur që të ndalojë në Barcelonë. E njohur si dashamirëse e gjuhës spanjolle, të cilën e zotëron, që nga e enjtja ajo po pushon brigjeve të Barcelonës, në Almunecar, hotel Granada. Bashkë me të, miq të saj na thonë se është edhe i dashuri i saj, njëkohësisht koleg pune në ‘Vizion Plus’, Turjan Hyska ose siç njihet ndryshe për shkak të grupit ku bën pjesë, Turi i “Produkt 28”. Sipas tyre, këto pushime janë edhe fillimi për një bashkëjetesë të çiftit. Pas lidhjes prej gati dy vitesh, duket se Orinda dhe Turi kanë vendosur më në fund të jetojnë në të njëjtën çati. Edhe pse janë munduar që fillimisht të mbajnë të fshehur historinë e tyre të dashurisë, që nisi nga një bashkëpunim i Orindës me grupin “Produkt 28”, kohët e fundit nuk po fshihen më. Ata po shihen bashkë nëpër evenimente të ndryshme artistike në Tiranë, por edhe në kohën e lirë apo gjatë fundjavave. Duket se lidhja e tyre ka ecur për mbarë dhe po kaq mbarë duket edhe ky vit për Orinda Hutën. Pasi u bë drejtuese e një emisioni rinor në televizionin ‘Vizion Plus’, këngëtarja 24-vjeçare është bërë imazh publiciteti. Është një spot i Tring Digital, realizuar në Full HD, ku flitet për të rejat që ofron kjo kompani. “Përtej kufijve në botën e Tring Digital” është slogani i publicitetit, ndërsa Orinda përforcon fjalinë edhe më tej, duke thënë se me këtë kompani çdo gjë bëhet reale.

© Panorama.al

Te lidhura