Orban: Shqipëria të marrë statusin në fund të vitit

Jul 7, 2011 | 11:15

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, u bën thirrje të gjitha vendeve të Bashkimit Europian që Shqipëria të marrë statusin kandidat në fund të vitit.Kreu i qeverisë hungareze, vendi i të cilit kishte kryesimin e radhës të BE-së në gjashtë muajt e parë të këtij viti, u ka dërguar një memorandum liderëve të vendeve tjera të Bashkimit Europian, me të cilin kërkon një riangazhim më të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor. Në lidhje me Shqipërinë, ai thotë se vendi meriton statusin kandidat, pavarësisht debateve politike që ka vendi. Sipas tij, këto debate nuk e kanë rrezikuar funksionimin e demokracisë në Shqipëri. “Suksesi i këtij procesi bart me vete edhe rëndësinë për stabilitetin afatgjatë në tërë rajonin. Përsa i përket Shqipërisë, deri në fund të vitit do të duhej t’i jepej statusi i kandidatit. Debatet e tanishme politike nuk e kanë rrezikuar funksionimin e demokracisë në Shqipëri”, thuhet në memorandumin që Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u ka dërguar liderëve të vendeve të BE-së. Kreu i qeverisë hungareze, i cili pak janë më parë vizitoi Shqipërinë, flet edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar më shumë angazhim nga BE-ja për integrimin sa më parë të tyre. Sipas Kryeministrit të vendit që deri më tash kishte kryesimin e radhës të BE-së, pozita gjeografike e vendeve të Ballkanit Perëndimor bën që integrimi i këtyre shteteve në BE të mos jetë vetëm një zgjerim i thjeshtë i Bashkimit Europian, por më shumë kompletim i një pune të papërfunduar të ribashkimit të Europës. Orban është angazhuar në memorandumin e tij që para fundit të këtij viti të vendoset për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi, gjithashtu të bëhet një gjë e tillë edhe me Maqedoninë. Për Serbinë, Orban ka thënë se ky shtet është kyç në rajon dhe se pas arrestimit të Mlladiçit, tash BE-ja do të duhej t’i jepte statusin e kandidatit Serbisë, por menjëherë të vendosë edhe për vendimin për nisjen e negociatave. Kryeministri i Hungarisë posaçërisht ka përmendur suksesin që është arritur me Kroacinë, e cila tashmë ka përmbyllur negociatat e anëtarësimit dhe ka kërkuar një rifokusim në procesin e zgjerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se është evidente se në Bashkimin Europian nuk ka ndonjë vullnet të madh të zgjerimit të BE-së dhe se kjo duhet ndryshuar.

Vizita

Kryeministri hungarez, Orban, vizitoi pak kohë më parë Shqipërinë dhe i pyetur nga mediat shqiptare, ai foli edhe për bojkotin e opozitës. Sipas tij, në Hungari opozita nuk u pagua gjatë kohës që bojkotoi Parlamentin për ndryshimet kushtetuese. “Opozita donte të na bllokonte në këtë nismë, por nuk kishin forcën. Atëherë ata vendosën që të mos merrnin pjesë, dolën nga Parlamenti. Por, në fund ne e miratuam dhe kryetari i Parlamentit thjesht nuk i pagoi deputetët e opozitës, meqenëse ata nuk kishin marrë pjesë”, tha ai.

Organ: Kosova, jo më vrima e zezë

“Nuk mund të mbeten vrima të zeza në hartën e Europës dhe për këtë kemi nevojë të forcojmë perspektivën europiane të Kosovës”. Kështu shprehet në memorandumin e tij për Kosovën, Kryeministri hungarez, Viktor Orban. “Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo është posaçërisht e vështirë për arsyen se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën. Por ne mund të bëjmë progres në fusha, siç është adoptimi i një udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”, thuhet në memorandum.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura