Opozita: Të rikompozohet Këshilli Kombëtar i Arsimit

Jun 2, 2012 | 14:17
Komisioni Parlamentar i Medias

Struktura e Këshillit Kombëtar të Arsimit është bërë dje objekt debatesh në Komisionin Parlamentar të Medias dhe Edukimit. Opozita kërkoi që ky organ këshillimor të jetë i pavarur nga MASH, pasi vetëm kështu garantohet cilësia në arsim. “Ju keni futur në përbërje të këtij Këshilli përfaqësues të shoqatave të bashkive dhe komunave dhe keni lënë jashtë Shoqatën e Prindërve. Në kërkojmë rikompozim të këtij Këshilli”, tha kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj. Deputeti i PD-së, Genc Strazimiri, tha se ligji po politizohet. “Ligji ka nisur të hartohet përpara se të ndodhte rrotacioni në Bashkinë e Tiranës. Ne nuk jemi ulur këtu ta politizojmë këtë ligj. Nëse kërkoni këtë garanci politike, nuk keni për ta marrë nga asnjë lloj eksperti”, tha Genc Strazimiri. Më herët, në një tjetër mbledhje të Komisionit, shoqëria civile ka kërkuar që Këshilli Kombëtar i Arsimit të mos kryesohet nga ministri Tafaj, pasi në këtë mënyrë nuk do të garantohej decentralizimi të cilin synon ligji. KKAP përbëhet nga 10 anëtarë dhe jep këshilla për hartimin e strategjive dhe programeve kombëtare për arsimin parauniversitar, drejtimet e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore. Funksion tjetër i këtij Këshilli është reforma e kurrikulave dhe teksteve. Projektbuxheti i parashikuar për arsimin parauniversitar dhe metodologjia e shpërndarjes së tij, por dhe mënyra si do të vlerësohen institucionet e arsimit parauniversitar, janë gjithashtu objekt këshillimi i anëtarëve të Këshillit. Mes anëtarëve të tjerë  janë dhe dy përfaqësues të Shoqatës së Bashkive dhe Komunave, pasi drafti synon decentralizimin e sistemit arsimor duke deleguar më shumë kompetenca te njësitë vendore.

Debati
Fatbardh Kadilli:
Të gjitha rastet kanë qenë të dështuara në historinë tonë për t’i zgjedhur në mënyrë kaq të paanshme anëtarët e një këshilli. I vetmi mekanizëm efektiv ka qenë që personat e ardhur, qoftë edhe me një suport politik, të kenë një garanci.

Valentina Leskaj: Mua nuk më shqetëson kjo, por nuk e kuptoj çfarë të keqe ka të ketë një zë nga Shoqata e Prindërve

Fatbardh Kadilli: Nuk mund të ketë një zë për një shoqatë që ekziston sot. Nuk mund të jetë nominale

Keshilli
Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar jep këshilla për:
Hartimin e strategjive dhe të programeve kombëtare për arsimin parauniversitar, drejtimet e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore;
Reformën e kurrikulave dhe të teksteve për arsimin parauniversitar;
Projektbuxhetin e parashikuar për arsimin parauniversitar dhe metodologjinë e shpërndarjes së tij;
Standardet për vlerësimin e institucioneve të arsimit parauniversitar;
Zhvillimin e politikave të veçanta, të kërku-ara nga ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe rrugët e financimit të tyre.
KKAP përbëhet nga 10 anëtarë

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura