Nga 1500 ndërhyrje që kryhen në vit në Neurokirurgji, 20 për qind kanë nevojë për aparaturën e posaccme që quhet nuronavigator. Dje mjekët e Shërbimit të Neurokirurgjisë, në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” kanë kryer ndërhyrjen e parë nëpërmjet kësaj aparature. Kjo ndërhyrje, e cilësuar e rrallë për vetë faktin se kryhet vetëm në disa klinika europiane, për mjekët e QSUT-së është cilësuar si mjaft e suksesshme. Porf. Mentor Petrela, i cili ka qenë në krye të ekipit të mjekëve kirurgë, ka theksuar se pacientja e parë që i është nënshtruar kësaj ndërhyrjeje është një qytetare nga Kosova, e cila pasi kishte kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet e rajonit, ka kryer operacionin në QSUT. “Pacientja kishte një tumor në tru, me një masë që shkonte deri në një centimetër/kub, por në një zonë shumë të vështirë. Me anë të rezonancës, ne kemi lokalizuar tumorin dhe më pas është kryer ndërhyrja me neuronagivator. Ky i fundit na tregon rrugën se ku duhet të ndërhyjmë, sa është hapësira për të ndërhyrë, duke mos lejuar asnjë gabim mjekësor, por edhe duke mos bere një prerje të madhe në kokë”, ka pohuar shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrla. Nga ana tjetër, drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, ka pohuar se për të gjithë ata mjekë dhe profesorë do të ketë mbështetje, në mënyrë që ndërhyrje të tilla të realizohen për të gjitha kategoritë e pacientëve.











