Mungojnë 13 ilaçe të shtrenjta. Të sëmurët me tumore i sigurojnë privatisht në farmaci
Pacientët: Blejmë një kurë kimioterapie minimumi 200 euro
Pjesa më e madhe e tyre luftojnë me vdekjen. Të tjerëve u mbeten edhe pak muaj jetë. Disa ia hedhin dhe mposhtin sëmundjen. Për t’i bërë ballë një diagnoze me kancer duhet forcë e madhe.Por, përveç saj, të gjithë ata pacientë që i drejtohen Spitalit Onkologjik në QSU duhet të përballojnë ekonomikisht çmimet e frikshme të ilaçeve. Në spital nuk gjenden. Duhet t’i blejnë vetë. Një cikël kimioterapie minimalisht kushton 100 euro. Pacientëve nga Kosova, që nuk mungojnë në këto ditë gushti, tarifat iu rriten edhe më shumë. “I kemi ble vetë ilaçet. Është hera e dytë që vij dhe bëj kimioterapi”, tha dje një prej pacientëve të shtruar. Edhe dhjetëra të tjerë që takuam na pohuan të njëjtën gjë. “Edhe kur ka pasur ilaçe spitali, të paktën një cikël kimioterapie e kam blerë vetë”, flet me indinjatë një tjetër e sëmurë. Ajo çka të përcjell Spitali Onkologjik është dhimbje. Pjesa më e madhe e të sëmurëve janë në stad të avancuar dhe kanë pak muaj jetë. Edhe për kohën që u mbetet u duhet të paguajnë shtrenjtë medikamente që duhet t’u sigurohen falas. Mjekët që arritëm të takonin dje pranojnë mungesat. Sipas tyre, ilaçet vijnë në sasi shumë të vogla dhe mbarohen shpejt. “Arrihet të mbulohet vetëm një numër i ulët të sëmurësh. Ilaçet mbarojnë dhe pastaj thuajse të gjitha diagnozat janë zbuluar. Aktualisht nuk kemi pjesën më të madhe të ilaçeve të kimioterapisë”, thotë njëri nga mjekët, i cili nuk do ‘ti bëhet publik emri. Ai na sqaron se mungojnë të paktën 13 medikamente të domosdoshme për të mbuluar diagnozat e kimioterapisë. Me të tilla mungesa thuajse të gjithë pacientët duhet të blejnë gjithçka. Në varësi të skemës që vendosin mjekët, një cikël i plotë kimioterapie ka mesatarisht 5 seanca. Edhe me trajtimin më të thjeshtë, një të sëmuri i duhet të paguajë rreth 500 euro. Për aq kohë sa spitali nuk siguron barnat, edhe vetë bluzat e bardha nuk kanë asnjë zgjidhje për të sëmurët. Atyre nuk u mbetet alternativë tjetër. Duhet ose të gjejnë paratë, ose ta lënë veten në dorë të Zotit edhe për kohën që u ka mbetur. Të sëmurët e Onkologjikut nuk janë vetëm pacientë nga Tirana apo rrethet e tjera të vendit, por edhe nga trevat si Maqedonia, Kosova e Mali i Zi. Të gjithë këta të sëmurë qëndrojnë në shtëpi me qira në kryeqytet për të marrë trajtimin e nevojshëm. Këta pacientë duhet të presin ilaçet, të marrin kombinime barnash në formën e terapisë zëvendësuese, ose, nëse ua mban xhepi, të porosisin jashtë ose të trajtohen në klinika private, të blejnë kura, të farmaci që numërohen me gishta
ILAÇET QË MUNGOJNË
Doxorubicin
Taxoter
Taxol
Herceptin
Gemzar
Endoxan
5-Fluoracil
Mitoxantron
Metotraxat
Cisplatinë
Carboplatin
Oxaliaplatin
Drejtori i QSU: Përpiqemi të sigurojmë ilaçet bazë

Pas ankesave të pa-cientëve për mungesa të ilaçeve, reagon Drejtoria e QSU-së. Sipas drejtorit Sajmir Ivziku, deri tani në këtë institucion janë nënshkruar 90% e kontratave të tenderave të ilaçeve dhe materialeve të mjekimit. “Ndërkohë që pjesa tjetër prëj 10% është sërish në proces, pasi asnjë prej firmave farmaceutike nuk ka paraqitur interes për ofrimin e këtyre medikamenteve”, është shprehur Ivziku në një deklaratë për mediat. Sipas Drejtorisë së QSUTsë, nuk është e mundur që çdo bar i prodhuar të sigurohet në mënyrë të menjëhershme. “QSUT përpiqet me mundim të sigurojë paketën bazë të medikamenteve. Prioritet gjatë periudhës së verës kanë qenë urgjencat, duke pasur parasysh se kanë edhe numrin më të madh të pacientëve. Por, të njëjtën vëmendje u kemi kushtuar edhe pavijoneve, të cilat trajtojnë sëmundjet kronike”, ka nënvizuar Ivziku. Drejtori i QSUT-së ka reaguar edhe për Pavijonin e Dializës, prej nga ku sollëm dëshmitë e pacientëve që rrëfejnë se mungojnë edhe dorashkat e fashot. “Në një spital të madh si QSUT, ku punojnë mbi 60 shërbime e pavijone klinike, një pjesë e të cilave unikale për gjithë vendin, madje për gjithë zonat shqipfolëse, Hemodializës i është alokuar më shumë se 1 e dhjeta e buxhetit të përgjithshëm të barnave e materialeve të mjekimit. Aparaturat e Hemodializës po mbahen në punë në kufijtë ekstremë të kapaciteteve teknike, përgjatë 24 orëve pa pushim, ndërkohë që pacientëve u është siguruar edhe rimbursimi i shpenzimeve të transportit nga buxheti i QSUT-së”, tha Ivziku. Ai shtoi se për pacientët e dializës këtë vit janë përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme për një shërbim cilësor dhe bashkëkohor, edhe pse është një nga shërbimet më të shtrenjta për QSUT-në. “Vetëm në momente sporadike e për afate mjaft të shkurtra kohore janë evidentuar mungesa për dorezat plastike apo shiringa, ndërkohë që janë rritur kërkesat për një administrim më të mirë të materialeve të mjekimit dhe mirëmbajtjes së aparaturave”, tha Ivziku. Ai shtoi se kompanive u është kërkuar të përshpejtojnë procesin e dorëzimit të ilaçeve para afateve të përcaktuara nëpër kontrata. Por, pavarësisht këtyre deklaratave, pacientët shprehen se i blejnë vetë ilaçet.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











