
Omonia ka shpallur platformën e saj afatmesme për regjistrimin e popullsisë minoritare e cila jeton në jug të vendit kryesisht në Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Në një mbledhje të organizuar fundjavën e kaluar në qytetin e Sarandës, krerët e Omonias kanë vendosur për nisjen e fushatës së regjistrimit të popullsisë greke në jug të vendit e cila braktisi censusin e vitit të kaluar, i cili u ndërmor nga shteti shqiptar.
Sipas një deklarate zyrtare në përfundim të kësaj mbledhjeje e shpërndarë në gjuhën greke, është vendosur që në datën 24 korrik, të fillojë shpërndarja e formularëve për regjistrimin e individëve nga kjo organizatë që mbron interesat e popullsisë helene në jug të vendit.
Sipas parashikimeve të krerëve të Omonia-s, ky process, synon të identifikojë të gjithë prezencën e popullsisë greke në Republikën e Shqipërisë përfshirë edhe ata që ndodhen me banim resident në Greqi apo vende të tjera të Botës. Pra në regjistrim do të hyjnë edhe pjesa e popullsisë greke që nuk banon momentalisht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Procesi sipas krerëve të Omonias, pritet të finalizohet diku nga Krishtlindjet pra afër fundit të vitit dhe me mundësi variable për t’u shtyrë më tej, dhe kjo, në varësi të plotësimit të të gjithë kritereve të rregjistrimit dhe prekjen e të gjitha zonave minoritare. Procesi i regjistrimit do të jetë i rregullt dhe konform standarteve europiane.
Sipas Omonia-s, ku regjistrim do të plotësojë ato kritere që kanë munguar në thelb, në censusin e një viti më parë të ndërmarrë nga autoritetet shtetërore shqiptare. Vitin e kaluar, Omonia dhe PBDNJ, i bënë thirrje popullsisë minoritare të mos merrte pjesë në regjistrim ,dhe kjo thirrje gjeti përkrahjen e shumicës dërmuese të këtij komuniteti në Gjirokastër dhe Sarandë.
Piro Nase
© Panorama.al











