OMONIA, kërkesa shtesë për regjistrimin e popullsisë

Aug 20, 2011 | 11:20

Shoqata e minori-teteve i kërkon faktorit ndërkombëtar në Tiranë të ndërhyjë për procesin e regjistrimit, duke e cilësuar atë si antiligjor dhe jo të përshtatshëm.Të udhëhequr nga organizata e minoritetit grek “OMONIA”, këto organizata kërkojnë shtyrjen me të paktën 6 muaj të procesit të regjistrimit dhe të mos mbahet në muajin tetor, me argumentimin se disa kushte në ligjin e regjistrimit janë antiligjore. Nënkryetari i OMONIA-s, Niko Brigu, në prani të përfaqësuesve të organizatave të tjera, lexoi një deklaratë për imediat, ku theksoi kushtet e kërkuara nga ana e tyre.
Kërkesat
Pika e parë e kushteve të tyre është shtyrja me 6 muaj e procesit, ndërsa si ndërhyrje e dytë kërkohet që ligji të shikohet sërish. Sipas tyre, gjobat apo ndëshkimet e tjera mbysin vullnetin dhe vetëdeklarimin e lirë të personave që janë të një etnie tjetër. “Ky ligj u hartua nga Komisioni Qendror i Regjistrimit pa asnjë konsultim me Komitetin Shtetëror për Minoritetet dhe as organizatat përfaqësuese të minoriteteve tona. Ne, përfaqësuesit e grupit të punës të organizatave të minoriteteve, shprehim kundërshtimin kategorik në lidhje me dispozitat e miratuara, të cilat ndëshkojnë dhe mbysin vetëdeklarimin e lirë të përkatësisë etnike të shtetasve të Republikës të Shqipërisë”, deklaroi nënkryetari i OMONIA-s, Niko Brigu. Duke theksuar se censusi duhet të shtyhet me 6 muaj në mënyrë që të kryhen konsultimet e duhura, ai shtoi se amendimet e reja nga ana e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që iu bënë këtij ligji, do të shkaktojnë një proces të deformuar. “Ne, përfaqësuesit e minoriteteve, kërkojmë nga ana e institucioneve shqiptare shtyrjen për 6 muaj të procesit të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë për të kryer konsultimet e mësipërme”, tha Brigu. Një tjetër kërkesë e tyre ishte edhe  vendosja e më shumë se një etnie në formularin e regjistrimit, duke mos u mjaftuar me pikën që, nëse i përket një tjetre, mund ta shtosh në formular. Shoqatat kërkuan përfshirjen në strukturat e regjistrimit edhe të personave që u përkasin minoriteteve. Një kërkesë e veçantë është edhe mbajtja e një kopjeje të formularit dhe t’i lihet në dispozicion cilitdo personi që plotëson formularin. “Kërkojmë që një kopje e pjesës së formularit që ka të bëjë me përkatësinë e shtetasve t’i lihet në përdorim personit për t’u përdorur si dëshmi në të ardhmen, në përfitimin e të drejtave dhe lirive që i takojnë në bazë të legjislacionit shqiptar”, shtoi Poçi. Kërkesa e minoriteteve është firmosur nga shoqatat minoritare dhe u është dërguar institucioneve shqiptare, kancelarive diplomatike në Tiranë, por i është drejtuar edhe Komisionit Europian dhe Strasburgut.

30 dite
do të zgjasë regjistrimi i popullsisë, përgjatë gjithë muajit tetor, në të gjithë vendin. Do të angazhohen mijëra anketues dhe përgjigjet në formular janë detyrim ligjor

Majko: Regjistrimi i njëanshëm, por të përmbyllet

Në një intervistë për RTK-në e Kosovës, ish-kryeministri Pandeli Majko u shpreh se regjistrimi i popullsisë do të bëhet ndonëse ai u miratua vetëm nga ana e qeverisë, pa praninë e opozitës. Sipas tij, “vetë mënyra se si kjo u komentua nga zoti Berisha, mendoj se e bën edhe më të qartë se kemi të bëjmë me një akt unilateral (të njëanshëm) nga qeverisja e ashtuquajtur ‘e djathtë’, e drejtuar nga Kryeministri aktual. Kjo histori nuk është thjesht histori regjistrimi, apo histori teknike. Ajo do të kërkonte një dialog më të gjerë midis klasës politike dhe, pse jo, me të gjithë shoqërinë shqiptare. Unë shpresoj që vetëdija kombëtare e shqiptarëve dhe e shoqërisë shqiptare në këto momente që po kalon vendi dhe në përgjithësi rajoni, të jetë e një natyre të tillë që i gjithë ky proces të përmbyllet me sukses”. Gjithsesi, Majko shoi duke thënë se ”në një kontekst të caktuar, është e qartë që për arsye të natyrave shpesh të çuditshme, në Shqipëri ka më shumë se 2-3 shtete që kërkojnë me insistim të kenë minoritete, që më pas t’i përdorin si mekanizma, le t’i quajmë kështu, edhe si presioni, për situatat e brendshme të Shqipërisë”.

© Panorama.al

Te lidhura