Olson Lamaj fiton çmimin “Ardhje”, 6 javë në New York

Jun 20, 2012 | 15:06

Artisti fitues Olson Lamaj

U ndanë për të gjashtin vit çmimet në artet pamore.

Fituesi shpërblehet me një rezidencë artistike 6-javore në  kryeqendrën botërore të artit.

Me ca tablo të shkëputura nga përditshmëria, Olson Lamaj ka fituar çmimin “Ardhje 2012”. I tërhequr prej gjërave në dukje të parëndësishme dhe që ne i kemi sytë çdo ditë, Lamaj kompozon fotografi si të ishin piktura. Në dy fotografi të mëdha të ekspozuara në këtë aktivitet, ai përdor dy porta hekuri si korniza dhe piktura është vetë pamja që ofron peizazhi urban. Mes pesë finalistëve, juria përzgjodhi pikërisht Lamajn dhe gjetjen e tij origjinale. Shpërblimi për fituesin është një rezidencë artistike 6-javore në New York. Ceremonia u zhvillua mbrëmë, duke shënuar dhe hapjen e ekspozitës me punët e finalistëve. I ngritur qysh në krye të herës për të promovuar artistët e rinj, ky çmim tashmë është kthyer në një ngjarje të rëndësishme në fushën e artit pamor dhe afron jo thjesht e vetëm artistë “rishtarë”. Mjafton të përmendim pjesëmarrësit e këtij viti, si Driant Zeneli, pjesëmarrës në disa aktivitete në Tiranë e Itali, fitues i konkursit “Onufri” dy vjet më parë, Yllka Gjollesha, një tjetër fituese e “Onufrit”, po kështu edhe Alketa Ramaj e Olson Lamaj, aktivë në aktivitete të ndryshme. Jo fort e njohur për publikun, për shkak të largimit të saj në Kanada, është artistja Henrjeta Meçe. Pra “Ardhja” e këtij viti prezanton një brez tashmë të konsoliduar artistësh. Ashtu si edhe vitet e tjera, edhe ky edicion, i realizuar nën kujdesin e profesorit të Historisë së Artit në Universitetin e Arteve Tiranë, Zef Paci dhe Alketa Kurrizo, koordinatore programi (Tirana Institut of Contemporary Art- TICA), nuk ka një temë gjithëpërfshirëse, por siç thonë edhe organizatorët përmes veprave të tyre, artistët sjellin përvoja personale. Mediumet në të cilat ata operojnë janë të ndryshme, që nga fotografia, videoja, instalacioni etj. Pesë finalistët e këtij viti mësohet të jenë përzgjedhur mes 28 aplikimeve, të cilët synonin edhe çmimin e parë. Fituesi i “Ardhje 2012” u përzgjodh nga një juri e përbërë nga Sonja Lau, kuratore (Robert Bosch Cultural Manager), artisti shqiptar që jeton e punon në New York, Helidon Gjergji dhe fotografja Jutta Benzenberg.
Finalistët
Edicioni i gjashtë i “Ardhjes” solli qasje nga më të ndryshmet të artistëve ndaj problematikave, kundrejt të cilave është e pamundur të jesh indiferent, si mjedisi, hapësira urbane, por shumë syresh janë edhe reflektime, që vijnë qoftë nga një ngacmim i momentit, siç mund të jetë një valëvitje flamuri, rrathët që krijon një guralec në ujë, një vizitë pas shumë kohësh tek piramida e ish-diktatorit, pamja e një ndërtese në dimër apo qoftë edhe një mbajtëse peme… Alketa Ramaj është frymëzuar nga këto të fundit, duke sjellë një instalacion të titulluar “Rritëset”. Këtyre strukturave të pakuptimta, të shkëputura nga pema, Ramaj përpiqet t’u japë pavarësi. Yllka Gjollesha vjen me dy videoinstalacione me titull “Soditje” (“Flamuri” dhe “Qetësi”). “Këto janë imazhe të cilat të bëjnë të ndalesh e të përfshihesh në ritmet e tyre. Ato janë gjithmonë aty, edhe kur ti je i pavëmendshëm. Ka gjithmonë një ndalesë përballë imazheve që na ofrohen në çdo moment të ditës dhe për secilin nga ne ka një ndjesi që duket e lidhur me karakterin, identitetin dhe personalitetin tënd”, thotë Gjollesha. Henrjeta Meçe, e cila jeton prej vitesh në Kanada, kthehet dhe ndal hapat te piramida, ku koha i ka gdhendur mbi shpinë gjithfarë historish. “Kjo performancë synon të sjellë në vëmendje historitë e humbura fizike, psikologjike e social-politike “të ngjitura” në muret e ndërtesës”, shpjegon artistja, e cila është paraqitur edhe me një tjetër punë të titulluar “Dialog”, për realizimin e së cilës mbështetet në eksperiencën personale, në atë të zhvendosjes. Driant Zeneli vjen me një performancë të titulluar “Ëndrra e Ikarit ishte të bënte një re”, duke u kthyer vetë për pak çaste heroi i mitit të lashtë. Ndërkohë që një tjetër vepër e kthen sërish në tokë. Bëhet fjalë për një foto të vitit 2011 “Xhamia në dëborë”, ku në pamje të parë të jepet përshtypja se sheh një xhami 99-kupolëshe të shtrirë në dëborë, në Prishtinë. Por në të vërtetë bëhet fjalë për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e përuruar në vitin 1982, e arkitektit kroat Andrija Mutnjakovic, konsideruar si një nga simbolet e arkitekturës moderne ballkanike. Dikur shumë inovative, sot shumë njerëz e quajnë të “tmerrshme”. Zeneli luan pikërisht me këtë kontrast perceptimesh. Ndërsa Olson Lamaj shkëput nga libri i tij fotografik “Albania from the street” një seri fotosh, të cilat ekspozohen për publikun bashkë me një kopje të librit. Janë imazhe “lakuriqe” të Tiranës nga këndvështrime shumë specifike që ofrojnë pamje, objekte dhe subjekte me të cilat bashkëjetojmë çdo ditë.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura