Olsi i “BB” i propozon për martesë, Olta e injoron

Aug 13, 2011 | 14:49

Ikën ato kohë kur Olsi Mingomata, protagonisti i edicionit të parë të “Big Brother”, shfaqej në media ashtu si dhe gjatë muajve të qëndrimit në “Big Brother” si një maço, si fitimtar i padisktueshëm përballë seksit të dobët, si një krijesë superiore, ku përballë metodave të tij të sofistikuara të joshjes, kapitullonte edhe femra më e suksesshme e rrugëve të ish-Bllokut. Iku koha e artë kur bënte liderin dhe feministin edhe duke qenë çift, aq sa femrës që kishte në krah i duheshin zinxhirë të fortë që ta mbante të lidhur pas vetes. Po kot nuk thonë, të gjitha në këtë dynja do të paguhen. Nëse doni të dini se çfarë bëhet sot me 38-vjeçarin që na i bëri netët e qëndrimit të tij në “Big Brother” si “Elektrik Blu”, kemi shumë për t’ju treguar. Dihet tashmë lidhja që Olsi krijoi me Olta Gixharin, aktoren durrsake që në kopertina gazetash e revistash më shumë ka dalë si Merilyn Monroe sesa si Olta Gixhari, duke na bërë të mendojmë se ajo nuk është ende e sigurt a ia vlen të promovohet Olta e Durrësit apo më mirë të ecet në terrenin e sigurt të suksesit të imazhit të një dive, duke krijuar një miks Merilyn Gixhari. Nejse, kjo ka qenë një zgjedhje e saj, ashtu siç zgjodhi pak vite më parë të bëjë rolin e prezantueses, por e kuptoi menjëherë se kishte trokitur në derën e gabuar. Ndërkohë, ai që këto kohë duket se ka trokitur në zemrën e gabuar, është maçoja Olsi Mingomata. Fama e suksesit të padiskutueshëm përballë femrave ka filluar t’i zbehet seriozisht, pasi vendosi të lidhet me Merlinin e Durrësit. Ndjenja që lindi në palestrën e “Dancing with the stars” dhe filloi pak nga pak të marrë jetë përballë një gote alkooli në lokalin e Olsit, duket se nuk po zhvillohet me intensitetin e pritshëm, mes vajzës 24- vjeçare, që në intervista rrëfente se është gati për martesë, por i mungon vetëm burri dhe, djali që gjithashtu është gati për martesë, por kur është aty afër, se ç’ka një gjë që e pengon.

Fundi i lidhjes me Najadën
Najada, vajza që Olsi njohu në “Big Brother”, dikur i kërkonte me çdo kusht zyrtarizimin në fejesë të lidhjes që e kishte arritur tashmë pjekurinë e duhur, por që Olsi për disa arsye objektive nuk vendoste dot. E ndodhur para pavendosmërisë së Olsit për ta bërë edhe këtë hap, ajo vendosi t’i japë duart duke e diskredituar publikisht në media për disa sjellje të tij jo normale dhe sigurisht duke e akuzuar për vesin e poshtër të të gjuajturit pa fund të femrave. Por, tani ka ndryshuar puna, sipas disa të afërmve të çiftit mësojmë se Olsi, ndryshe nga Noçja, i ka kërkuar Oltës jo fejesë, por direkt martesë. Por, si përgjigje ka marrë… një jo të madhe.

Olta, vajza që i bën “zbor” Olsit
Gjithkush mund ta mendonte si një lidhje që do të shkonte shumë mirë, sepse në fund të fundit të dy ishin gati për të qenë seriozisht në çift, mirëpo ka një gjë që në marrdhëniet në çift të siguron suksesin dhe kjo quhet përputhje karakteresh. Ky është i vetmi aspekt mbi të cilin nuk mund të negociosh, sepse për të tjerat ai bën ‘dermanin’. Olta kur ka parë natyrën e qetë të Olsit, menjëherë ka marrë në duar frenat në çift duke kaluar çdo limit të sjelljes njerëzore. Miqtë e përbashkët që i njohin nga afër pohojnë se janë shokuar nga mënyra se si Olta e fyen publikisht Olsin. Ata thonë se janë një çift ku amplituda e harmonisë dhe zënkave lëviz në mënyrë marramendëse, ku këto të fundit janë mbizotëruese. Për këtë arsye, ata kanë momentet e tyre të ndarjeve, të cilat në media janë komentuar, por edhe të ribashkimeve. Mësohet se krahas problemeve të tjera, Olta është edhe shumë xheloze për Olsin, pavarësisht se demonstron një superstimë për veten, a thua se është e vetmja femër mbi këtë tokë. Kjo ndjenjë intensifikohet dhe gjen terren edhe për arsyen se ai, si menaxher i lokalit “Tokio” në Bllok, kontakton me shumë femra dhe Olta nuk mund ta tolerojë mungesën e eksluzivitetit të vëmendjes të të dashurit të tij, qoftë për arsye pune. Mirëpo Olsi, si një tip i qetë, që jeta i ka mësuar që nuk ia vlen të prishësh gjakun,  gjë që më pas mund të reflektohet edhe në pamje e, si pasojë, mund të rrezikohet intensiteti i joshjes, ka menduar që të bëjë një sy qorr e një vesh shurdh dhe t’i japë Oltës një provë të madhe dashurie, t’i kërkojë të bëhet gruaja e tij. Me siguri në mendjen e djalit zemërthyes ky propozim ishte konceptuar si një dhuratë dhe surprizë shumë e bukur për Monronë e Durrësit dhe si një mënyrë për ta zbutur sadopak kryeneçësinë e saj, por jo. Përgjigjja negative e ka kthyer Olsin me këmbë në tokë, ndërkohë që tani me siguri mund të jetë duke bërë llogaritë se çfarë humbet dhe çfarë fiton duke qëndruar në një lidhje me Oltën. Në fund të fundit, një mendim që i vjen me siguri është, a ia vlen të kesh në krah një femër që të fyen dhe të refuzon vetëm e vetëm që në media dhe në shoqëri të lakohesh si çift? Gjithsesi, ne i sugjerojmë një zgjidhje Olsit, nëse Oltës i prishet mendja dhe e pranon ftesën, le ta refuzojë ai këtë radhë. Mbase i del më për mbarë…

 

BESARTA KADIU

© Panorama.al

Te lidhura