
Të huajt nuk kryejnë gërmime pa leje në Shqipëri, por ama tek ato me leje jemi të varur nga të huajt e që ç’ke me të.Nuk kanë kaluar shumë, qëkur eksperti italian, Sebastiano Tusa, tregoi për gjendjen e parqeve arkeologjike shqiptare, përmes një studimi të mbështetur nga UNESCO. Mes një morie problematikash, Tusa përmendte se ekspedita të huaja zhvillohen në parqet shqiptare pa marrë lejen e autoriteteve përkatëse. Drejtori i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, Roland Olli, tregon si qëndron e vërteta e këtyre konstatimeve. Cilat janë institucionet që japin leje për gërmime, cilët mund t’i kryejnë ato, tentativat për të gërmuar pa leje, projektet në proces, gërmimet e shpëtimit dhe bashkëpunimi me të huajt.
Në një studim të zhvilluar me mbështetjen e UNESCO-s për parqet arkeologjike, konstatohet një lloj “kaosi” në gërmimet arkeologjike. Na sqaroni cili i jep lejet dhe cili mund të gërmojë në Shqipëri?
Me ndryshimet ligjore që ndodhën para 3 vitesh, rezultat i së cilave ishte edhe krijimi për herë të parë i Shërbimit Arkeologjik Shqiptar, përfaqësuar nga agjencia jonë, u krijua dhe Këshilli Kombëtar Arkeologjik që është bordi më i lartë vendimmarrës, për sa u përket gërmimeve në territorin shqiptar. Është e përcaktuar tashmë qartë që është ky institucion që jep leje për gërmime arkeologjike, qofshin këto të financuara nga institucione të huaja, marrëveshje bilaterale me shtete, me të cilat vendi ynë bashkëpunon prej vitesh apo gërmime që diktohet nga zhvillimi i infrastrukturës dhe menaxhohen direkt nga agjencia jonë. Gërmimet arkeologjike ndahen në dy grupe: gërmimet e planifikuara, apo siç quhen ndryshe shkencore, të cilat drejtohen apo bashkëdrejtohen nga Instituti i Arkeologjisë dhe kategoria e dytë janë gërmimet arkeologjike të shpëtimit që drejtohen nga ASHA. Çdo fillim viti, që përkon me muajin shkurt dhe fillimin e marsit, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, pranë MTKRS-së, miraton planin vjetor të gërmimeve shkencore, që drejtohen nga Instituti Arkeologjik. Sipas kuadrit ligjor, asnjë subjekt i huaj nuk ka të drejtë të kryejë gërmime në Republikën e Shqipërisë. Gërmimet mbeten monopol i shtetit shqiptar. Edhe në rastet e bashkëpunimit, ato duhet të kenë pjesë të ekipit që do të realizojë të gjitha proceset e gërmimit, konservim, restaurim, duhet të ketë bashkëdrejtues nga IA, pra janë partnerë me pjesëmarrje të barabartë.
Ju ka ndodhur të përballeni me raste gërmimesh pa leje?

Këto kanë qenë minimale dhe më shumë në kuadrin e tentativës, sepse me marrjen e informacioneve, ato janë ndaluar, qoftë nga strukturat tona rajonale apo të parqeve arkeologjike, që mbulojnë këto territore. Një rast që do t’ju përmendja ka qenë para një viti e gjysmë në zonën e Gjirokastrës, u ndalua dhe nuk krijoi asnjë problem në aspektin e dëmtimeve apo të ndërhyrjeve të paautorizuara.
Atëherë, ku bazohen konstatimet e ekspertit italian që ka kryer studimin?
Në periudhën trevjeçare të funksionimit të ASHA-s ka pasur vetëm dy tentativa për gërmime pa leje. Nëse flitet për gërmime klandestine që janë hasur në territoret e parqeve, atëherë është një tjetër çështje. Ato realizohen nga individë. Vjet kemi konstatuar dy raste. Njëri në Apoloni. Për shkak të territoreve të mëdha të parqeve apo të kushteve të vështira nuk mund të kontrollohen. Bëhet fjalë për dhjetëra hektarë. Ndërsa nga institucione shkencore te huaja, universitete apo subjekte të tjera, nuk ka gërmime pa leje. Këtë e them me siguri.
Vera është një sezon gërmimesh, ku po punohet ndërkohë?
Gërmimet janë përqendruar në sitet më të njohura arkeologjike. Vazhdojnë gërmimet në Parkun Kombëtar të Butrintit, Apoloni, Bylis, duke u ngjitur gjeografikisht në Durrës, Lezhë dhe Koman, ku kryhet një gërmim shumëvjeçar me pjesëmarrës të një misioni francez. Në zonën juglindore vazhdojnë gërmimet në pellgun e Korçës, që përbën një nga trevat më të njohura sa i përket historisë së Shqipërisë. Këto gërmime në përgjithësi janë bshkëfinancim me të huajt. E thënë më saktë, nuk kemi një gërmim të mirëfilltë shqiptar, për shkak të kostove të tyre shumë të larta dhe të vështira për t’u përballuar 100% nga pala shqiptare.
Ç’mund të na thoni për gërmimet e shpëtimit, kur parashikohen ndërhyrje të tilla?
Gërmimet e shpëtimit kanë marrë një zgjerim shumë të madh këto dy vitet e fundit. Ky gërmim është një detyrim ligjor për të gjitha veprat e infrastrukturës së madhe në Shqipëri, për projektet e zhvillimit urban të qyteteve, ku ne kemi zona arkeologjike. Kemi 9 zona arkeologjike urbane në gjithë Shqipërinë, të cilat për çdo ndërtim urban që planifikohet të fillojë, kanë si detyrim kërkimin arkeologjik që zhvillohet nga ASHA dhe nga subjekte private të licencuara, duke respektuar të gjitha fazat që ndiqen për një gërmim shkencor. Kur rezultatet e sondazheve na tregojnë për një potencial të madh arkeologjik, atëherë KKA autorizon gërmim të plotë arkeologjik për të evidentuar të gjitha vlerat e mundshme.
Në ndryshim nga gërmimet shkencore, ritmi i gërmimeve të shpëtimit është më i madh. Nëse një gërmim shkencor do një periudhë 5-10 vjeçare, gërmimet e shpëtimit duhet të zhvillohen brenda disa ditëve apo disa muajve, pasi ky gërmim nuk mund të kthehet në një pengesë për veprën që gërmohet. Kohët e fundit po bëjmë mbikëqyrjen arkeologjike në rrugën Lezhë-Kala e Lezhës. Kam kënaqësinë të them se si rezultat i këtyre gërmimeve kemi mbledhur të dhëna shumë të rëndësishme, unikale për Shqipërinë. Në rastin konkret, një pjesë e projektit në rrugë është pezulluar, derisa të zhvillohen të gjitha procedurat arkeologjike.
Meqë duhet të punoni ngushtë me pushtetin lokal, si ka qenë bashkëpunimi, keni pasur përplasje?
Me pushtetin lokal, bashkëpunimi në objektet e infrastrukturës ka qenë më i mirë se ai i zhvillimit urban, si ndërtesa banimi apo social kulturore, që ndërtohen brenda zonave arkeologjike. Ne kemi pasur realisht probleme, pasi shpeshherë nga Këshillat e Rregullimit të Territorit në këto bashki, që kanë zona të mbrojtura arkeologjike, janë dhënë padrejtësisht ose në kundërshti me ligjin, leje për të bërë objekte të reja. Rregulloret e administrimit e thonë fare qartë që ndalohet çdo lloj ndërtimi i ri në zonën arkeologjike A, lejohen vetëm restaurimet e ndërtesave ekzistuese dhe ndërtimet në rrjete inxhinierike. Dhe, në këtë kontekst, ne kemi përplasje me pushtetet vendore, të cilat e vendosin shërbimin tonë në një pozitë të vështirë, pasi duket sikur janë dy palë që kanë interesa të kundërt. Pa një bashkëpunim me pushtetin vendor, i cili është autoriteti që menaxhon territorin, si rrjedhojë edhe zonën arkeologjike, nuk është e mundur që ASHA të bëjë rolin e një mbrojtësi nga sipër.
Momentalisht, ne kemi disa subjekte private të licencuara në fushën e arkeologjisë, ç’duhet të përmbushë një subjekt për të fituar këtë të drejtë?
Licencimi bëhet në bazë të një rregulloreje të miratuar nga KKA, ku janë përcaktuar qartë kriteret e licencimit. Që një subjekt privat të licencohet, duhet që drejtuesi të ketë gradën më të lartë, atë të profesorit. Në përbërje të stafit duhet të ketë arkeologë, konservues, restaurues, topografë, skicografë etj. Ndërsa drejtuesi duhet të ketë marrë pjesë si bashkëpunëtor në të paktën 3 ekspedita në Shqipëri, të dokumentuara me botimet përkatëse të arkivuara në Institutin e Arkeologjisë. Momentalisht kemi vetëm 3 subjekte private të licencuara dhe mendoj se ishte një arritje për këtë periudhë kaq të shkurtër. Tanimë, KKA ka miratuar edhe rregulloren si duhet kryer një gërmim nga subjektet private.
Studimi i Sebastiano Tusas:
…Ka dhe një paqartësi tjetër që lidhet me gërmimet arkeologjike dhe kërkimin shkencor. Vihet re një situatë e pazakontë në marrëdhëniet mes misioneve shqiptare apo të huaja dhe drejtorive të parqeve. Ndodh që misionet kryejnë punën e tyre shkencore pa vënë më parë në dijeni drejtorinë e parkut respektiv. Kjo situatë është e papranueshme, pasi drejtoria e parkut duhet jo vetëm të jetë e informuar rreth aktivitetit shkencor dhe logjistik, por duhet të japë mendimin e saj rreth projektit shkencor që do të zbatohet në një vit apo në disa vjet. Sipas procedurave shqiptare, leja për misione arkeologjike jepet nga agjencitë kombëtare në bashkëpunim me njëra-tjetrën, si Instituti i Arkeologjisë, Bordi Kombëtar i Parqeve Arkeologjike dhe Drejtoria e Trashëgimisë Kombëtare…
ALMA MILE
© Panorama.al











