Një spektakël madhështor ka ngritur zyrtarisht siparin e edicionit të 30-të të Lojërave Olimpike. Ka qenë në fakt Bredli Uigins, çiklisti britanik që ka fituar Turin e Francës, i cili ka nisur ceremoninë duke i rënë kambanës që peshon 23 tonë. Ceremonia, e cila ka zgjatur tri orë, ka shfaqur përpara syve të botës një shfaqje spektakolare, meritë kjo e Deni Bojlit. Ashtu si në samitet botërore, që kanë si synim të zgjidhin problemet e njerëzimit, në “Olympic Stadium” të Londrës, i cili ka kushtuar më shumë se gjysmë milioni euro, janë mbledhur së bashku Mbretëresha Elizabetë, Kancelarja gjermane Merkel, Kryeministri rus Medvedev, ai spanjoll Rajoi, japonezi Noda, Zonja e Parë e Amerikës, Mishel Obama, sekretari i OKB-së, Ban Ki Mun dhe një sërë politikanësh përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës. Nuk mund të mungonte në ceremoninë e hapjes edhe Toni Bler, i cili ka qenë vendimtar, së bashku me Sebastian Koe, për rikthimin për të tretën herë në histori të Lojërave Olimpike në Londër. Në tribunë nuk ka munguar Presidenti i Italisë, Xhorxho Napoletano dhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Por, në këtë eveniment madhështor të organizuar në Londër nuk kanë munguar as yjet e Hollivudit, si Xhorxh Kluni, Nikol Kidman, Anzhelina Zholi dhe Bred Pit. “Me krenari të jashtëzakonshme populli i Londrës dhe i Britanisë së Madhe i uron mirëseardhjen botës për Lojërat Olimpike. Prisnim me padurim që të festonim frymën që dallon Olimpiadën”.
Kryeministri Berisha
Ashtu siç ka ndodhur me krerët e shteteve të tjera pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të Londrës, të cilat dje ngritën zyrtarisht siparin, edhe Kryeministri Sali Berisha ka vizituar ekipin olimpik shqiptar. I shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministrat e Kulturës dhe Sporteve, Aldo Bumçi e Memli Krasniqi, kanë takuar atletët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në evenimentin e rëndësishëm ndërkombëtar në një pritje të zhvilluar në Ambasadën tonë në Londër. Kryeministri, përveçse ka shfaqur mbështetjen për përfaqësuesit në Londër, u ka uruar atyre suksese në garat e disiplinave përkatëse, duke shprehur besimin se do të arrijnë rezultate të kënaqshme.











