Presidenti i Republikës, Bamir Topi ftoi presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç si organizatorin e Samitit të IV të vendeve të rajonit, që të bëntë një ftesë edhe për presidentin e Serbisë, Boris Tadiç.
Topi, i bëri deklaratat në mbyllje të Takimit të III, ku të katër presidentët pjesëmarrës në Samitin e Ohrit ishin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
“Unë do ta inkurajoja Presidentin Vujanoviç, mikun tim të nderuar dhe të respektuar, tek i cili kam gjetur një bashkëpunim të shkëlqyer gjatë këtyre viteve, që të bënte një ftesë edhe për Presidentin Tadiç dhe këtë që po them tani unë e kam përsëritur në mënyrë konstante që e ardhmja e vendeve tona është natyrisht tek paqja, bashkëpunimi dhe rruga jonë e përbashkët. Fakti që Serbia ka deklaruar që dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian padyshim e obligon që të ketë të njëjtën rrugë dhe të njëjtën mënyrë sjelljeje politike sikurse dhe vendet e tjera të rajonit”- tha presidenti Topi.
Unë do të uroja që edhe Presidenti Tadiç t’i bashkëngjitet kësaj tryeze, vazhdoi më tej Topi, sepse në këtë tryezë ne diskutojmë vetëm për projekte bashkëpunimi.
Topi tha se jo vetëm presidenti Tadiç, por edhe presidentë të tjerë të rajonit, të jemi së bashku të diskutojmë dhe nuk është e thënë të jemi dakord për të gjitha gjërat, por të jemi dakord për probleme vërtetë substanciale që kanë të bëjnë me mirëqenien dhe qetësinë e qytetarëve tanë”- përfundoi Topi.
© Panorama.al












