Ohër, dita e dytë e takimit të katër presidentëve

Jul 12, 2011 | 9:22

OHER- Në Ohër zhvillohet dita e dytë e takimit rajonal të presidentëve të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Në ditën e dytë të këtij takimi “Samiti i Ohrit 2011”, presidentët Gjorgje Ivanov, Bamir Topi i Shqipërisë, Atifete Jahjaga e Kosovës dhe Filip Vujanoviq i Malit të Zi pritet të dalin me nisma për projekte të përbashkëta rajonale, sidomos në sferën e infrastrukturës dhe lidhjeve energjetike.

Ky është takimi i tretë i presidentëve në këtë përbërje shtetesh, pas atyre në Vlorë në vitin 2009 dhe në Prizren në vitin 2010.

Presidenti Ivanov do të propozojë një listë të mundësive për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe do të apelojë për tu përcaktuar prioritetet ku do të fokusohet bashkëpunimi. Ivanov gjithashtu do të kërkojë që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të rajonit të takohen më shpesh dhe jo vetëm një herë gjatë vitit.

Organizatorët e takimit kanë organizuar shëtitje me anije me presidentët në Liqenin e Ohrit, pjesëmarrje në hapjen solemne të edicionit të 51 të Festivalit “Vera e Ohrit 2011” si dhe një drekë pune.

Presidentët Topi, Jahjaga dhe Vujanoviq janë të akomoduar në hotelin “Ineks-Gorica”, në afërsi të rezidencës së presidentit Gjorgje Ivanov në vilën “Biljana”.

Qyteti i Ohrit, për shkak të këtij takimi rajonal, është nën masat e një regjimi të posaçëm të komunikacionit dhe me lëvizje të kufizuara në disa drejtime. (INA)

 

© Panorama.al

Te lidhura