Oficeri i rremë i Interpolit, gjoba drejtuesve të makinave

May 31, 2013 | 12:48
Foto ilustruese

Një 25-vjeçar, i cili hiqej si agjent i Interpolit, është ndaluar nga Policia e Tiranës pasi akuzohet se u bënte presion drejtuesve të makinave në mënyrë që t’u merrte para.  I dyshuari, sipas Policisë, është Luftar Hoxha, nga Mati, banues në kryeqytet, të cilit iu gjet edhe një dokument i falsifikuar me siglën “Interpol”, të cilën e përdorte për të bindur shoferët që ishte punonjës policie. Dyshohet se ai ndalonte automjetet me targa të huaja, duke pretenduar se i kishte nën hetim si të trafikuara nga jashtë dhe në rast se nuk donin t’ua bllokonte, atëherë duhej t’i jepnin një ryshfet, që varionte nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë të rinj. Identifikimi i tij u bë në bazë të një kallëzimi që ishte bërë disa ditë më parë në Policinë e Tiranës nga një qytetar, i cili deklaroi se kishte rënë pre e mashtrimit të oficerit të rremë të Interpolit. Burime nga Policia thanë se i dëmtuari është shtetasi Rikel B., 23 vjeç, banues në zonën e Saukut të Vjetër. Ai ka bërë kallëzim se disa ditë më parë, pas mesnatës, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij me targa të huaja në afërsi të 15-katëshit në qendër të Tiranës dhe personi në fjalë i ka bërë shenjë që të ndalonte. Sipas tij, një automjet tip “BMW”, me targë angleze RY 51 LVJ, i është afruar shumë pranë dhe drejtuesi i mjetit, që rezultoi të ishte “oficeri” i Policisë Luftar Hoxha, i ka kërkuar të ndalonte. Por, duke e parë si të dyshimtë këtë veprim dhe për shkak se nuk e njihte personin e makinës tjetër, 23-vjeçari ka vazhduar rrugën në drejtim të Saukut, për të shkuar në shtëpi. Pas një ore është këmbyer sërish me makinën e Hoxhës dhe kësaj herë ka ndaluar. I dyshuari i ka treguar një dokument me mbishkrimin “Interpol” dhe i ka thënë se ishte oficer i kësaj zyre, duke pretenduar se makina e të riut rezultonte e trafikuar nga jashtë dhe për këtë arsye duhej ta bllokonte. Hoxha i ka kërkuar dokumentet e makinës, por i ka propozuar edhe një marrëveshje, në mënyrë që të vazhdonte rrugën për në shtëpi. Ai i ka kërkuar 10 mijë lekë të rinj në mënyrë që ta linte të shkonte dhe të mos i bllokonte makinën.
Policia e Tiranës, pas këtij kallëzimi, ka arritur ta identifikojë dhe më pas ka ndaluar të dyshuarin e ngjarjes, Luftar Hoxha, të cilit në makinën që drejtonte i është gjetur edhe një dokument me siglën “Interpol”, me emrin e tij. Më pas ka treguar se dokumenti ishte i falsifikuar dhe e kishte blerë në Greqi. Burimet thanë se i ndaluari dyshohet ta ketë përdorur këtë dokument edhe në raste të tjera, si në rastin që është denoncuar, dhe për këtë arsye kanë nisur verifikimet.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura