Mançester Siti është hedhur sërish në sulm për të blerë fantazistin e Arsenalit, Samir Nasri. Qytetarët janë të gatshëm që të paguajnë për lojtarin 24-vjeçar 25 milionë euro brenda 24 orëve të ardhshme. Sipas të përditshmes angleze “The Sun”, te Siti do t’i bëjnë një ofertë të fundit ‘topçinjve’, dhe do t’u kërkojnë atyre që të marrin një vendim përfundimtar, nëse do ta shesin lojtarin apo do ta mbajnë atë. Duket se te Arsenali, menaxheri i ekipit, Arsen Venger, dhe stafi i tij janë dorëzuar në fund, sa i përket faktit që ata duan ta mbajnë me ngulm futbollistin në Londër. Sipas të përditshmes angleze, tekniku francez, e di se kjo është një betejë e humbur. Drejtuesit e Sitit kanë vendosur që të bëjnë sulmin final, pasi duket se kanë marrë sinjale pozitive që Arsenali do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë kësaj çështjeje. ‘Topçinjtë’, edhe pse nuk kanë dëshirë, janë të gatshëm që të nënshkruajnë marrëveshjen për të ardhmen e Nasrisë. Madje, kjo marrëveshje mund të realizohet deri në fund të javës, duke i dhënë francezit që të jetë në fushë me Mançeser Sitin në përballjen e 7 gushtit për Superkupën e Anglisë ndaj Mançester Junajtidid. Kjo do të ishte edhe një mënyrë hakmarrjeje ndaj rivalëve të tyre, që e kërkonin gjithashtu 24-vjeçarin.











