
Mesfushori: Më falni, por nuk më mbajtën nervat.
Dëmtimet e shumta vitet e fundit u shnd-ërruan në një torturë të vërtetë për Altin Lalën. Ish-kapiteni i Shqipërisë nuk duron dot që edhe brenda “familjes” të marrë shkelma të tepruar, ndaj dje pasi ka debatuar me fjalë me shokun e skuadrës dhe zv.trajnerin, është pezulluar nga Hanoveri.Gjithçka ndodhi në seancën stërvitore të paradites, ku gjatë një ndeshjeje testuese brenda ekipit, Lalës i ka ndërhyrë ashpër dy herë radhazi mesfushori i ri i skuadrës, Kristofer Avevor. Në rastin e parë Lala e kishte këshilluar të bënte kujdes, ndërsa në të dytin i ka bërtitur ashpër 20-vjeçarit, aq sa zv.trajneri Norbert Dyvel është detyruar të ndërpresë ndeshjen dhe të qortojë mesfushorin shqiptar para gjithë skuadrës. “Ti bën mirë ta qepësh gojën, sepse ke disa minuta që po e sheh se sa rëndë po luan ai dhe nuk po ndërhyn. Të duket normale ty që ky (Avevor) të godasë me shkelma një shok të skuadrës?!”, mësohet t’i ketë thënë Lala zv. trajnerit të Hanoverit. Ky i fundit më pas ka biseduar me trajnerin Mirko Slomka, i cili e ka pezulluar kapitenin e Shqipërisë, duke i kërkuar të largohej nga fusha. Por, nuk është mbushur as një orë nga e gjithë ngjarja dhe Altin Lala ka folur për mediat, duke kërkuar ndjesë publike për sa ndodhi në stërvitje. “U tregova i nxituar ndaj zv.trajnerit dhe e pranoj se gabova. Isha i nevrikosur se një nga shokët e mi të skuadrës mendoj se e teproi me ndërhyrjet e rënda dhe më pas reagova keq ndaj Dyvelit. Ishte e gabuar, por m’u dogjën siguresat dhe nuk mbajtën nervat. Më vjen shumë keq për këtë, pasi kurrsesi nuk dua që të krijoj probleme te Hanoveri, aty ku kam një jetë që luaj. Aq më tepër kur më kanë mbetur edhe pak muaj si futbollist”, ka thënë Lala. Pritet ndërkohë që klubi i Hanoverit ta sanksionojë edhe me një gjobë mesfushorin shqiptar, i cili ka pohuar se në fund të këtij sezoni do t’i thotë lamtumirë futbollit të fushës. Ai ka 13 vjet që luan te skuadra e Hanoverit, duke u shndërruar në një ikonë të këtij klubi. Ndërsa me fanellën e Kombëtares shqiptare mesfushori ka luajtur në 79 takime, duke qenë edhe rekordmeni i kuqezinjve. Ish-kapiteni u tërhoq nga Kombëtarja në fund të edicionit që shkoi. Edhe pse mori një ftesë nga trajneri aktual Xhani De Biazi për të qenë pjesë e kuqezinjve, ai refuzoi.
© Panorama.alElis Bakaj
Elis Bakajn e presin ditë të vështira te skuadra e Dinamos së Bukureshtit. Fantazisti i Kombëtares shqiptare duket se nuk është më në planet e trajnerit Liviu Ciobotariu. “Në fillim kur erdhi Bakaj të gjithë kujtuan se ai ishte Ronaldo, por ja që nuk është tamam kështu. Nuk bën pjesë në planet e mia”, ka thënë në konfidencë Ciobotariu për mediat rumune. Lajmin e ka bërë të ditur uebsajti “sport.ro”.











