ODIHR: Fletët gabim, vendos Kolegji

Jun 2, 2011 | 12:54

Komisioni Amerikan i Helsinkit zhvilloi dje në selinë e Kongresit Amerikan një seancë informimi mbi zgjedhjet lokale dhe mungesën e stabilitetit politik në Shqipëri.
Kreu i Misionit të OSBE/ ODIHR-it në Shqipëri, Xhonatan Stonstrit, i pranishëm në këtë seancë, deklaroi se për votat e hedhura në kutitë e gabuara i takon vetëm Kolegjit Zgjedhor të japë një vendim. Ai tha se nuk mund të komentojë lidhur me këtë vendim, sepse ai do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor. Përsa i përket vendimit për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, tha zoti Stonstrit, KQZ-ja ndërmori një veprim me implikime mjaft të gjera mbi një
bazë jokolegjiale dhe pa i shpjeguar këto veprime më parë. Gjithsesi, në fjalën e tij përpara shumë të ftuarve në këtë seancë për Shqipërinë në Kongresin Amerikan, ai tha se rezultati për Bashkinë e Tiranës ishte i ngushtë, çka do të  vendoste në vështirësi çdo administratë zgjedhore, edhe në vendet më të konsoliduara. “Rezultati tepër i ngushtë i zgjedhjeve do të vinte në provë çdo administratë zgjedhjesh, edhe ato më të fortat. Por, në Shqipëri, administrata
zgjedhore nuk është ndër më të fortat, prandaj dhe trysnia në këtë rast është akoma më e madhe”, tha shefi i Misionit ndërkombëtar të vëzhgimit në Shqipëri. Megjithëse zgjedhjet sollën disa dukuri pozitive, tha ai, dy partitë, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, nuk i kryen me përgjegjësi detyrat e tyre përsa u përket zgjedhjeve dhe kjo ndikoi negativisht në procesin e administrimit të zgjedhjeve, duke minuar besimin e publikut. Sipas raportimit të “Zërit të
Amerikës”, Stonstrit tha se kjo u pa në faktin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përdor si një fushë beteje politike mes partive në emërimin e vonuar të komisionerëve, si dhe në akuzat publike të papërgjegjshme që vunë në pikëpyetje integritetin e komisionerëve në të gjitha nivelet. Këtu, tha zoti Stonstrit, e kam fjalën për të dyja partitë, sepse kur u takova me to, secila prej tyre ishte e prirur të thoshte se këto vërejtje kishin të bënin vetëm me partinë kundërshtare.
Përsa i përket KQZ-së, vendimet për çështje të cilat kontestoheshin nga partitë politike, merreshin në linja politike dhe jo në mënyrë kolegjiale. Pra, kur mes dy partive politike kryesore nuk kishte mosmarrëveshje, KQZ-ja sillej si një organ
kolegjial, por sapo mes partive shfaqeshin pikëpamje të kundërta, këto pasqyroheshin brenda në KQZ. “Këto lloj  qëndrimesh partiake nuk ndihmuan për të rritur besimin te KQZ-ja. Megjithatë, ky polarizim i madh jo domosdo u shtri
edhe në komisionet zgjedhore të rangjeve më të ulëta” tha Stonstrit. Të ftuar për të dhënë mendimin e tyre ishin edhe
shumë personalitete të tjerë, si Robert Benxhamin, i Institutit Demokratik Kombëtar dhe Janush Bugajski, i Qendrës
për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura