Shqipëria nuk ka raportuar emrat e ilaçeve me efekte anësore pranë OBSH-së. Sistemi i farmakovigjilencës në vendin tonë ka mbetur vetëm në numra, çka mund të çojë në penalizmin e vendit për dezinformim ndërkombëtar. Në një shkresë dërguar dje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qendrën e Kontrollit të Barnave, është kërkuar që brenda një jave të jepen emrat e barnave që po monitorohen për mungesë apo efekte anësore. Lajmin e konfirmuan për gazetën burime të sigurta nga Ministria e Shëndetësisë. Në shkresë saktësohet detyrimi se për çdo ankesë që bëhet pjesë e sistemit të farmakovigjilencës, institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë raportimin pranë zyrave përkatëse të OBSH-së brenda një harku kohor prej dy javësh. Deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur. I pyetur për këtë problematikë nga gazeta, drejtori i QKKB-së, Besnik Jakaj, pranoi se nuk janë bërë raportimet pranë OBSH-së, pasi këto medikamente janë ende në proces kontrolli. Sipas Jakajt, vërtetimi për ankesat do kohën e vet, pasi mund të ketë denoncime edhe për shkak të konkurrencës. “Kemi emrat e barnave, por nuk mund t’i bëjmë ato publikë për qytetarët për aq kohë sa janë në proces kontrolli, ndërsa do të ndërmerren të gjithë hapat ligjorë për raportimet te ndërkombëtarët”, tha Jakaj. Por, nga ana e saj, zyra e OBSH-së në vendin tonë ka qenë e qartë. Në shkresën e dërguar kërkohet raporti i plotë, në të kundërt, do të dilet me një qëndrim zyrtar për pengim të raportimit në nivel ndërkombëtar. Vetëm pak javë më parë, gjatë konferencës së farmakovigjilecnës, u bë me dije se janë tetë medikamente që qarkullojnë në tregun farmaceutik, të cilat po i nënshtrohen testimit pranë laboratorëve të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Kreu i QKKB-së evitoi dhënien e emrave, por pohoi se përgjithësisht bëhet fjalë për antibiotikë dhe ilaçe kundër gripit. Raportimet për këto barna janë dorëzuar nga farmacitë dhe spitalet e vendit. Nga sa u bë me dije në Konferencën e Farmakovigjilencës, grostistët nga ana e tyre kanë sjellë për testim mbi 100 medikamente të dyshimta.
Raportimet ndërkombëtare
Për vitin e kaluar ka pasur 175 raportime ndërkombëtare, nga të cilat 10 barna kanë qenë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë. Janë antibiotikë, antiipertensiv, antiviralë. Para dy vjetëve janë çregjistruar 4 barna për mungesë të efektit dhe për shfaqje të efekteve anësore. QKKB ka kërkuar sensibilizimin e qytetarëve, duke i cilësuar raportimet një sinjal pozitiv për funksionimin e sistemit të farmakovigjilencës në vendin tonë.
Farmakovigjilenca
Farmakovigjilenca ishte pjesë e marrrëveshjes së prillit të viti 2009 mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Italiane të Barnave. Veprimtaria është financuar nga projekti INTERREG-3. Kjo strukturë mbledh, monitoron, kërkon dhe vlerëson informacionin që vjen nga personeli shëndetësor dhe nga pacientët mbi efektet e padëshirueshme të ilaçeve.
Transplantet, dhurim i organeve pas vdekjes
Dhurim i organeve pas vdekjes, për t’i përdorur për transplante. Kjo praktikë do të realizohet edhe në vendin tonë. Në QSUT pritet të ngrihet Qendra Kombëtare e Transplanteve, e cila do t’u vijë në ndihmë të gjithë pacientëve që u nevojitet një ndërhyrje e tillë. Përvoja italiane do të vijë fillimisht me transplantin e veshkave, i realizuar tashmë në Shqipëri për 4 raste. Më tej synohet zgjerimi i kësaj ambicie edhe me ndërhyrje të tjera jetike. Ministria e Shëndetësisë firmosi dje marrëveshjen me Qendrën Kombëtare të Transplanteve në Itali. Protokolli i bashkëpunimit i hap rrugën ngritjes dhe realizimit të një rrjeti që do të koordinojë punën për realizimin e transplanit nga “donatori kadavër” edhe në vendin tonë. “Jemi së bashku këtu, mbas një marrëveshjeje të rëndësishme me delegacionin italian në fushën e transplanteve. Gjetëm një mbështetje të plotë nga pala italiane. Ky bashkëpunim institucionalizon zgjidhjen e problemit për një kohë të gjatë”, u shpreh ministri Vasili gjatë pritjes së delegacionit italian të kryesuar nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Transplanteve të Italisë, dr. Alessandro Nanni Costa. Një bashkëpunim i këtij niveli sipas Vasilit pritet të zgjidhë kërkesat jetike të shumë pacientëve. “Ne kemi ambicien për të ecur shpejt në këtë fushë, pas miratimit të ligjit për transplantet, ku mekanizmat themelorë ekzistojnë në ligj, qoftë për mënyrën e organizimit dhe të administrimit të këtij procesi, qoftë dhe për elementet teknike për të pasur proces të koordinuar dhe shumë special”, tha Vasili. Objektiv i palës italiane është ndërtimi i strukturave me elemente profesionale sipas standardeve europiane. “Kërkojmë të transferojmë elementët e eksperiencës sonë në këtë kontekst dhe të krijojmë struktura me mjekë të formuar”, tha dr. Costad, duke vlerësuar këtë marrëveshje dypalëshe për të forcuar dhe transplantin midis donatorëve të vdekur dhe të gjallë. Kreu i Qendrës së Transplanteve u prit dje edhe nga drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Saimir Ivziku. “Ne tashmë kërkojmë ngritjen e një qendre transplanti për të kryer të tjera ndërhyrje në vazhdim, duke përballuar një fluks prej 10 apo 12 transplantesh të tilla që ato të jenë rutinë për mjekët e QSUT-së”, ka pohuar Saimir Ivziku.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











