Objektet pa leje, nis aksioni i pastrimit te Liqeni Artificial

May 7, 2012 | 13:12
Liqeni Artificial në Tiranë

Nis aksioni i prishjes së objekteve pa leje te Liqeni Artificial në Tiranë. Për të ndryshuar pamjen e kësaj pike, ku shëtisin me qindra qytetarë, Policia Bashkiake ka shembur objektet e paligjshme dhe të tjerat do t’i nënshtrohen verifikimit të dokumentacionit. Më tej parashikohet që të pastrohet liqeni, dhe në territorin rrotull tij do të zgjerohen edhe rrugët për kalimtarët. “Nuk ka kuptim asnjë aksion rehabilitimi i parkut pa larguar këto çibane, të cilat përditë e më shumë po e asfiksojnë gjallërinë dhe jetën në park. Ne jemi të vendosur për t’iu futur një aksioni rehabilitues thelbësor të gjithë ekosistemit të parkut natyror të liqenit artificial të Tiranës, duke filluar që nga pellgu ujor, i cili do të pastrohet, do të thellohet e do të zgjerohet. Do të ndërhyjmë në riparimin e portës së digës”, tha dje nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panariti. Sipas tij, problem mbeten inertet që hidhen pa kriter në të gjithë zonën e gjelbër, të cilat do të pastrohen. Panariti thotë se do të shtohen dhe territoret e blerta, pasi do të mbillen me qindra pemë.

© Panorama.al

Te lidhura