Presidenti Barak Obama mbajti mbrëmë fjalimin e tij të pranimit të kandidaturës për mandatin e dytë presidencial, ku u përpoq të bindë votuesit se situata ekonomike do të bëhet më mirë. Para tij, fjalimi i Bill Klinton e “ngriti në qiell” Obamën. Ai tha në sallën e Konventës në Sharlot, Karolina e Veriut, se rizgjedhja e Obamës është ajo çka i duhet kombit për prosperitetin. “Asnjë president, as unë, asnjë nga paraardhësit e mi nuk do të arrinte të riparonte dëmin ekonomik në vetëm katër vjet”, tha Klinton. Në fjalimin 48-minutësh ai hodhi poshtë sulmet e republikanëve ndaj Obamës. “Argumenti i republikanëve kundër rizgjedhjes së Presidentit ishte i thjeshtë, shumë i ashpër. Dukej si diçka e tillë: “Ne i lamë atij një rrëmujë totale, ai nuk e sistemoi shumë shpejt, kështu që pushoni atë dhe na zgjidhni ne përsëri”, tha Klinton, i cili është ish-presidenti i parë që nominon një president në detyrë për rizgjedhje.











