Obama, pranë finalizimit të planit të tërheqjes nga Afganistani

Jun 22, 2011 | 10:53

Presidenti Barak Obama do të njoftojë planin e tërheqjes nga Afganistani, vetëm dy vjet pasi ai vendosi të shtojë 30 mijë trupa në këtë mision. Ndërsa do të thotë se si ka ndër mend ta nisë tërheqjen masive të trupave amerikane në korrik, ai duhet të marrë mbështetjen e dy fraksioneve të mëdha në Kongres, atij ushtarak dhe të administratës së tij. Liderët ushtarakë, bashkë me kreun e tyre, sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts, i cili pritet të tërhiqet pas pak nga detyra, preferojnë një tërheqje graduale. Ndërsa, senatori republikan, Xhon Mekein, e ka kundërshtuar vendosjen e një afati për tërheqjen e amerikanëve. Ai tha për “Fox News” se presidenti po shkon shumë larg, duke tërhequr të gjithë trupat e tij nga Afganistani dhe se ai vetë do të preferonte një tërheqje “modeste”. “Los Angeles Times” ka raportuar se Obama planifikon të tërheqë më shumë se 10 000 veta nga personeli në Afganistan, deri në fund të dhjetorit 2011. Por, shumë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se Obama nuk e ka marrë ende vendimin përfundimtar dhe se po i jep dorën e fundit planit të tërheqjes. Në Afganistan ka rreth 100 000 trupa amerikanë. Vendimi i Presidentit nuk ka të bëjë vetëm me sa trupa do të tërheqë që nga korriku i këtij viti, por edhe me planin e tërheqjes më afatgjatë të amerikanëve, të cilët duan që deri në vitin 2014 t’ua dorëzojnë afganëve të gjithë territorin e vendit.

© Panorama.al

Te lidhura