Presidenti Obama ka propozuar rritje taksash për të pasurit dhe korporatat, si dhe shkurtime të shpenzimeve qeveritare në projekt-buxhetin e 2013-s, prej 3,8 trilionë dollarësh. Presidenti amerikan prezantoi në linja të përgjithshme përparësitë për projekt-buxhetin e tij, i cili do t’i paraqitet Kongresit, në një kolegj pranë Uashingtonit. Ai theksoi rritjen e fondeve për arsimin, në mënyrë që studentët të përftojnë aftësitë e nevojshme që të zënë vende të mira pune. Obama tha se plani i tij i shpenzimeve ka për synim të nxisë ekonominë brenda periudhës afatshkurtër dhe të ulë deficitin buxhetor me afro 4 trilionë dollarë gjatë dekadës së ardhshme. Në një fjalim të stilit fushatë, në tubimin në pjesën veriore të Virxhinias, Obama tha se propozim-buxheti fokusohet te ajo që sigurimi i ripërtëritjes së ekonomisë së Shteteve të Bashkuara të mbetet në kurs. Presidenti amerikan propozoi rritjen e taksave për korporatat me rreth 1,5 trilionë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshme dhe pakësimin e shpenzimeve qeveritare. Propozimi do ta çonte në 1,3 trilionë dollarë deficitin vitin e ardhshëm. Para se buxheti të hyjë në fuqi, duhet të miratohet nga Kongresi dhe aktualisht ligjvënësit janë të ndarë në vija partiake dhe shumë kritikë ndaj përparësive që ka përcaktuar Presidenti Obama. Jacob Liu, shefi i kabinetit të Obamës, tha se propozimi do të ndihmonte në arritjen e 4000 miliardë dollarëve reduktim të deficitit në një dekadë.











