Obama: Nuk është faji im, rënia e tregjeve nisi në Europë

Aug 10, 2011 | 12:41

Presidenti Barak Obama ka refuzuar të pranojë përgjegjësinë për panikun e ri në ekonominë në Wall Street, duke këmbëngulur se rënia e tregjeve nisi në Europë dhe se kriza e borxhit ishte një krizë që ai e trashëgoi nga paraardhësit në pushtet. Obama i mbrojti arritjet e tij ekonomike dhe tha se problemet në Europë po ndikonin SHBA-në. Sipas tij, problemet e vendit me borxhin kombëtar dhe deficitin ishin ekzistuese kur ai hyri në Shtëpinë e Bardhë. Treguesit e “Dow Jones” dhe “Standard & Poor’s” janë hapur një për qind më lart mëngjesin e djeshëm pas komenteve të Presidentit amerikan mbrëmjen e së hënës. Edhe “Nasdaq” u ngrit me 2 për qind. “Ne kemi një problem serioz borxhi dhe deficiti dhe pjesën më të madhe të tij unë e kam trashëguar”, tha Obama, duke shtuar se kriza financiare e ka keqësuar problemin. Obama tha se SHBA ka parë një rritje të vazhdueshme 17-mujore të vendeve të punës në sektorin privat, rritje të përfitimit të korporatave dhe tregje krediti të stabilizuara. “Ajo që është absolutisht e vërtetë, edhe para këtyre dy ditëve të fundit në bursa, është se rimëkëmbja nuk ka ndodhur aq shpejt sa duhej. Por, kur ka probleme në Europë, në Spanjë dhe Itali dhe në Greqi, këto probleme lahen në brigjet tona”. Komentet e Presidentit amerikan erdhën pas rënies pikiatë të një dite më parë në tregjet e të gjithë botës, pas uljes së vlerësimit të “Standard & Poor’s” për ekonominë amerikane, për herë të parë në histori.

© Panorama.al

Te lidhura