Obama më i preferuar, mund të ndikojë edhe birra e prodhuar në Presidencë

Sep 3, 2012 | 11:40
Gjatë prodhimit të birrës

Publikohen recetat e birrës së prodhuar në Shtëpinë e Bardhë

Barak Obama duket se është më i preferuar mes votuesve amerikanë sesa rivali i tij republikan Mit Romnej, sipas sondazheve. Obama është më karizmatik dhe përveç kësaj i pëlqen të pijë pak, ashtu si pjesa më e madhe e amerikanëve. Ndryshe ndodh me kandidatin republikan, Mit Romnej, i cili është Mormon dhe feja e tij nuk ia lejon konsumin e alkoolit. Obama preferon birrën, por ka një recetë speciale, e cila prodhohet në shtëpi dhe jo fabrikë, që deri dje ishte “sekrete”. Duke njohur dashurinë e amerikanëve për birrën, Shtëpia e Bardhë ka vendosur të publikojë recetën e birrës me mjaltë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që ai bënte fushatë në Ioua. Janë dy receta, njëra për “Honey Broun Ale”, dhe “Honey Porter”, të cilat besohet se janë birrat e para që prodhohen në Shtëpinë e Bardhë. Elementet e tyre përfshijnë ekstrakte mjalti, qelibar, maja dhe sheqer misri. Obama ka folur për prodhimin e birrës në Shtëpinë e Bardhë prej disa javësh, por ai dhe zyrtarë të tjerë kanë refuzuar të japin formulën, me gjithë një peticion online me pyetje të gazetarëve. Obama dhe ekipi i tij flasin shpesh për simpatinë e Presidentit për birrën, madje ai vetë është fotografuar disa herë duke pirë birrë. Identifikimi si birrë-dashës është një mënyrë për ta lidhur më shumë Obamën me votuesit e thjeshtë, ndryshe nga Romnej. Shtëpia e Bardhë e nxori recetën bashkë me një video ku shoqërohet prodhimi i saj, duke pasur kujdes të përmendin se Presidenti ka paguar vetë për produktet që janë përdorur.

© Panorama.al

Te lidhura