Obama me “listë vrasjesh”, emrat dhe biografitë në karta bejsbolli

May 30, 2012 | 13:33
Obama me dy këshillarë

Barak Obama ka aprovuar personalisht një listë vrasjesh të terroristëve të Al Kaedës të cilët duhet të gjurmohen dhe vriten, sipas raporteve. Presidenti amerikan kërkon që këshilltarët e tij të vizatojnë “karta bejsbolli” me fotot dhe biografitë e tyre, për të vendosur më pas se kush do të jetojë dhe kush jo. Më pas ai qëndron vetëm për të reflektuar nëse duhet të urdhërojë një dron të bombardojë që t’i vrasë ata ose jo. Sipas “New York Times”, asnjë president në histori nuk ka marrë një rol të tillë unik për të vendosur për çështje të tilla. Obama ka qenë profesor në Drejtësi dhe qëndrimi i tij ndaj terrorizmit e ka bërë një person më të ashpër qëkur ka marrë përsipër detyrën si i pari i SHBA-së. Kartat e bejsbollit të kujtojnë 52 kartat e lojës në kohën e Bushit, të cilat u lanë në Irak për anëtarë të regjimit të Sadam Huseinit. Obama ka marrë kritika për urdhrin e vrasjes së Anuar al-Aulaki shtatorin e kaluar, një qytetar amerikan që jetonte në Jemen, i cili ishte i dyshuar për lidhje me ngjarjet e 11 shtatorit. Komentatorët politikë në SHBA kanë shprehur shqetësimin mbi krijimin e një precedenti për vendimet e marra nga një “dorë” për të qenë “gjykatës, juri dhe ekzekutues” mbi një amerikan. Sipas burimeve në “New York Times”, çdo javë më shumë se 100 anëtarë të ekipit të sigurisë kombëtare mblidhen për të vendosur se cili duhet të jetë në radhë si potencial për t’u bombarduar nga dronët.

© Panorama.al

Te lidhura