
Lutjet e së premtes, pritet intensifikimi i dhunës së protestuesve afganë.
Talebanët kërkojnë hakmarrje, ushtari afgan vret dy amerikanë.
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka kërkuar falje për djegien e Kuranit në një bazë amerikane në Afganistan dhe tha se ata që janë përgjegjës për këtë incident do të japin llogari. Në një përpjekje për të zbutur zemërimin që ka mbërthyer afganët që të hënën, Obama i kërkoi falje Presidentit afgan, Hamid Karzai, për atë që ai e quajti përpjekje të paqëllimshme për të djegur libra islamikë, në një letër personale dorëzuar nga ambasadori amerikan në Kabul. “Ju siguroj se ne do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të evituar çdo përsëritje të incidentit, përfshirë dhënien llogari të atyre që e kanë kryer atë”, ka shkruar Presidenti Obama në letër, sipas zyrës së Karzait. Protestat në Afganistan po intensifikohen pas një vale zemërimi për djegien e librit të shenjtë islamik. Dje ishte dita e tretë e protestës, e cila rezultoi me vrasjen e një ushtari amerikan. Në protestat që kanë nisur të hënën kanë gjetur vdekjen tetë persona, të qëlluar nga policia afgane, e cila po përpiqet të frenojë valën e zemërimit. Kopje të djegura të librit të shenjtë u gjetën në kazanët e plehrave të bazës ajrore “Bagram”, me protestat që pritet të përshkallëzohen gjatë ditës së sotme, ku hoxhallarët besohet se do t’ia dedikojnë ditën e predikimit këtij incidenti. Disa orë pasi talebanët bënë thirrje për vrasjen e “pushtuesve” të koalicionit perëndimor në Afganistan, një ushtar afgan hapi zjarr kundër trupave amerikane në një bazë në provincën lindore Nangarhar, sipas zyrtarëve afganë. Dy ushtarë amerikanë u vranë përpara se ushtari afgan të futej mes një turme protestuesish që ishin mbledhur jashtë bazës së kësaj province.
© Panorama.al











