Obama i përgjigjet Romnejt: Presidenti është për të gjithë

Sep 20, 2012 | 13:04

Pas publikimit të videove të fshehta të kandidatit republikan, flet Presidenti.

Duke iu përgjigjur deklaratave të kandidatit republikan, Mit Romnej, në videot e fshehta të publikuara së fundmi, se amerikanët që mbështesin Obamën janë “viktima” dhe se ai nuk ka pse të merret me ta, Presidenti Barak Obama tha se amerikanët nuk janë viktima, por duan të sigurohen se Presidenti i tyre “nuk e ndan vendin me copa të mëdha”. Deklaratat e Obamës erdhën pasi në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë në muajin maj, gjatë takimit të Romnejt me donatorë të pasur, e cila u publikua së fundmi, ai ishte shprehur se “47 për qind e popullit”, si mbështetës të Obamës, varen nga qeveria dhe besojnë se janë viktima. “Unë besoj se nëse dikush do të bëhet President, duhet të punojë për të gjithë, jo vetëm për disa”, tha Obama gjatë një interviste me David Letterman në rrjetin CBS. Ky ishte reagimi i parë i Obamës në lidhje me videot e Romnejt, të cilat devijuan fushatën e tij dhe e kanë vendosur në pozicion mbrojtës me gafën mbi mënyrën se si e shikon ai gjysmën e popullit, se si nuk beson në paqen në Lindjen e Mesme dhe se politika ndaj Iranit duhet të jetë më agresive. Presidenti Obama u shfaq në këtë emision përpara se të merrte pjesë në një mbrëmje mbledhjeje fondesh në Nju Jork Siti. Obama tha se njerëzit e kuptojnë që kandidatët presidencialë bëjnë gabime gjatë fushatës. Ai përmendi edhe një gabim të tijin gjatë fushatës së vitit 2008, për të cilin shprehu keqardhjen, kur u shpreh se “disa banorë të zona depresive rurale zemërohen shpejt dhe marrin armët, apo krijojnë antipati për njerëzit që janë ndryshe prej tyre”. Pasi përmendi vetë këtë episod, Obama tha se: “Një gjë që kam mësuar si President, është se ai përfaqëson të gjithë vendin”. Presidenti dhe Letterman përmendën edhe episode të tjera të fushatës së tij, si ai në një piceri në Florida , kur pronari e kishte ngritur në krahë dhe mbante në ajër. “Më duket se më sistemoi problemet me kurrizin”, u shpreh Obama me humor. Presidenti e përfundoi mbrëmjen me darkën e mbledhjes së fondeve nga ylli i popit, Beyonce dhe bashkëshorti i saj, Jay-Z, moduli i klubit të repit 40/40.

Obama udhëheq
Presidenti Barak Obama është i favorizuar me të paktën 50 për qind të votuesve në Virxhinia dhe Uiskonsin, dhe është në avantazh me një pikë ndaj sfiduesit Mit Romnej në Kolorado, sipas sondazhit të publikuar dje. Sondazhi nga CBS/Nju Jork Tajms/”Quinnipiac University” tregon një përmirësim të mbështetjes për Presidentin në tri shtete të vështira, krahasuar me sondazhet e mëparshme përpara konventave të dy partive të mëdha. Sondazhi i jep Obamës 50 për qind, krahasuar me 46 për qind të Romnejt në Virxhinia dhe 51 për qind, krahasuar me 45 për qind në Uiskonsin, vendi ku ka lindur kandidati republikan për zv.president, Pol Rajan. Në Kolorado, Obama udhëheq me 48 për qind, ndërsa Romnej ka 47 për qind të mbështetjes.

Ndikimi te të pavarurit
Videot e regjistruara fshehurazi të Mit Romnejt kanë rritur mbështetjen e republikanëve për të, por kanë bërë që një e treta e të pavarurve të vendosin që të mos votojnë për të, sipas një sondazhi të fundit nga USA TODAY/Gallup. Sondazhi tregon se gjysma e të pavarurve mendojnë se videot nuk do të kenë ndikim në votën e tyre. Por, 29 për qind mendojnë se videot i kanë bindur që të mos votojnë për kandidatin republikan.

© Panorama.al

Te lidhura