TIRANE- Partia Socialiste dhe Partia Demokratike shkëmbyen sot akuza të ndërsjellta lidhur me procesin e numërimit të votave që ka filluar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që pas vendimit të dhënë nga Kolegji Zgjedhor.
Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, e quajti këtë proces, të turpshëm, ndërsa tha se “KQZ është kthyer në bodrumin partiak të Saliut ku gangsterë, rrugaçë e militant të verbuar, nga Arben Ristani i pari e të tjerët, të mbrojtur me lëkurën politike të Sali Berishës, marrin guximin të kërcënojnë familjarisht vëzhguesit e PS e siç ndodhi sot, ti nxjerrin me dhunë jashtë KQZ.”
Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses, Jorida Tabaku u kundërpërgjigj duke e quajtur këtë një përpjekje shqetësuese të Partisë Socialiste për të errësuar procesin, goditur institucionet e pavarura, dhe për të mbytur zërin e qytetarëve.
Tahiri denoncoi parregullsitë, sipas tij, që po vihen re gjatë hapjes së kutive, dhe numërimit të votave të kontestuara dhe të pavlefshme.
“Në kutitë e NJB 1, rreth 20 QV rezultojnë me më pak fletë se zgjedhës. 4 QV rezultojnë me më shumë fletë se zgjedhës, ku vetëm një QV ka plot 21 fletë më shumë se zgjedhës. Kuti të thyera e të çara nga ku dalin vota të pafutura në asnjë zarf apo zarfi i fletëve të pavlefshme është zhdukur nga kutia. Fletë votimi të një QV që fluturimthi gjenden në kutitë e një QV tjetër. Fletë votimi të gjetura në një kuti, të vulosura me vulat e një tjetër QV. Kode Sigurie që janë tërësisht ndryshe nga ato që kanë vënë komisionerët, apo kuti pa kode sigurie”-tha ai.
Për PD-në, KQZ nuk po vepron nën urdhërat e Berishës, siç shprehet PS, por sipas urdhërit që dha Kolegji Zgjedhor, me kërkesën e bërë nga vetë Partia Socialiste.
Sipas socialistëve, “ky proces është ilegjitim, manipulativ e spekulativ, e si i tillë, nuk mundet dot kurrsesi të legalizojë vjedhjen e zgjedhjeve në tavolinën e pushtetit, ndaj “ne thjeshtë, nuk do ta lejojmë”-theksoi Tahiri.
Zëdhënësja e shtabit të Bashës, Tabaku tha se PD bashkohet me durimin e qytetarëve dhe respekton vendimet e institucioneve të pavarura, ashtu siç kërkon edhe komuniteti ndërkombëtar.
© Panorama.al











