
Sot propozimi në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Kutia e materialeve zgjedhore nuk hapet gjatë numërimit.
Mbikëqyrje nga dy përfaqësuesit e partive përveç personelit teknik.
Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore pritet të miratojë sot disa kapituj të rëndësishëm të reformës elektorale, që kanë të bëjnë me procesin e numërimit elektronik të votave.
Sipas draftit që pritet të kalojë me konsensusin e PD-së dhe PS-së sot në Komisionin e Reformës, thuhet se procesi i mbikëqyrjes së sistemit elektronik të numërimit (SEN), përveç personelit teknik që është përgjegjës për administrimin e procesit të numërimit, do të mbikëqyret dhe nga dy përfaqësues politikë, një nga PD dhe një nga PS-ja. Këta përfaqësues do t’u nënshtrohen trajnimeve përkatëse dhe do të zgjidhen me vendim të KZAZ-ve. Askush tjetër përveç të mandatuarve nga dy forcat kryesore nuk do të ketë mundësi të ndjekë nga afër numërimin elektronik. “Kur numërimi i votave bëhet përmes SEN, vetëm personeli teknik i SEN është përgjegjës për administrimin e “SEN”. KZAZ-ja cakton dy përfaqësues të subjekteve zgjedhore për mbikëqyrjen e procesit për çdo pajisje numërimi, të zgjedhur mes anëtarëve të grupeve të numërimit të ngritura sipas nenit 95/1 të Kodit. Personat duhet të kryejnë trajnimin përkatës. Përfaqësuesit propozohen një nga partia më e madhe e shumicës dhe një nga partia më e madhe e pakicës parlamentare”, thuhet në draftin e hartuar nga ekspertët e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Në nenin 95 thuhet se përfaqësuesit e PD-së dhe PS-së në grupet e numërimit të votave me sistemin elektronik të numërimit nuk do të kryejnë numërim të fletëve apo vlerësim votash, por vetëm mbikëqyrjen nga afër të procesit të numërimit elektronik nga stafi teknik i miratuar për implementimin e “SEN”. Ata do të kenë të drejtë të nënshkruajnë tabelat e rezultateve të qendrave të votimit dhe detyra të tjera që do të caktohen me akt normativ të KQZ-së.
Hapja e kutive
Në draftin e hartuar nga ekspertët e PD-së dhe PS-së dhe që pritet të marrë dritën jeshile ditën e sotme, është përjashtuar mundësia e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore gjatë procesit të numërimit të votave. Hapja e kësaj kutie do të bëhet vetëm në rastet kur mungon procesverbali origjinal i mbylljes së qendrës së votimit dhe kur ai nuk gjendet në kutinë e fletëve të votimit. “Në këtë rast njoftohet KZAZ, e cila urdhëron grupet e numërimit të votave ose, sipas rastit, personelin teknik të “SEN” të mbyllin kutinë e votimit, të plotësojnë procesverbalin e konstatimit, duke shënuar vulat e mbylljes, lënien mënjanë të kutisë/kutive të votimit asaj qendrës së votimit dhe hapjen e kutisë së materialeve të votimit”, thuhet në draftin e hartuar nga ekspertët.
Ndryshimet në Reformën Zgjedhore
. Kur numërimi i votave bëhet me sistemin elektronik të numërimit, përgjegjës për procesin e administrimit është vetëm stafi teknik. KZAZ cakton dy përfaqësues të subjekteve zgjedhore për mbikëqyrjen e procesit për çdo makinë numërimi, të zgjedhur mes anëtarëve të grupeve të numërimit të ngritura sipas nenit 95/1 të Kodit. Personat duhet të kryejnë trajnimin përkatës.
. Përfaqësuesit propozohen një nga partia më e madhe e shumicës dhe një nga partia më e madhe e pakicës parlamentare.
. Përfaqësuesit e subjektit nuk kryejnë numërim apo vlerësim votash, por vetëm mbikëqyrin nga afër procesin e numërimit elektronik, nënshkruajnë tabelat e rezultateve të QV-së dhe kryejnë detyra të tjera sipas përcaktimeve në këtë Kod dhe/ose në aktin normativ të KQZ-së.
. Kutitë e materialeve të votimit të të gjithë QV-ve të ZAZ-së, nuk i nënshtrohen procedurave të hapjes dhe verifikimit gjatë procesit të numërimit të votave në VNV, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











