Nuk shuhen zjarret, 28 vatra nga veriu në jug

Aug 27, 2012 | 12:09
Zjarri përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan

Zjarret pushtojnë Shqipërinë. Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 28 vatra aktive, një pjesë e të cilave nuk është arritur të shuhet. Helikopteri turk ka kryer 24 operacione në Lurë dhe në lartësinë e Priskës, por situata alarmante vazhdon ende. Në të gjitha rastet konfirmohet se zjarrvëniet janë të qëllimshme, megjithatë pavarësisht arrestimeve të autorëve, qindra hektarë janë nën pushtetin e flakëve.
TIRANE
Zjarret kanë shkaktuar një situatë alarmante pasditen e djeshme përgjatë rrugës Tiranë-Elbasan, në Krrabë. Dy lokale janë rrezikuar nga flakët që kanë përfshirë sipërfaqet me shkurre në të dy anët e rrugës nacionale, duke shkaktuar panik te banorët dhe pronarët e lokaleve. Forca të shumta zjarrfikëse janë përpjekur të vënë nën kontroll situatën në Krrabë, duke larguar fillimisht rrezikun që u kanosej subjekteve private dhe banesave që ndodhen përgjatë rrugës. Ndërsa sipas drejtorit të Zjarrfikësve në kryeqytetit, Haki Hoxhaj, të gjitha zjarret në qarkun e Tiranës janë të qëllimshëm. Për shkak të terrenit shumë të thyer dhe distancës së vatrave të zjarrit nga rruga automobilistike në Parkun e Dajtit, është ndërhyrë nga ajri me helikopterin turk “Kamov”. Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë paraditen e së dielës në periferi të qytetit, në Kodër-Krastë, ku mësohet se deri më tani flakët kanë djegur rreth 10 hektarë me pisha. Era favorizoi flakët, duke vështirësuar punën e zjarrfikësve dhe shërbimit pyjor.
ELBASAN
Flakët e zjarrit kanë shkaktuar ndotje në zonën juglindore të qytetit të Elbasanit, ku e gjithë zona dhe banesat përreth janë mbuluar me re të dendura tymi për shkak të zjarreve që po e djegin me shpejtësi masivin me pisha të Kodër-Krastës. Situata e krijuar nga zjarret e shumta të rëna në zona të ndryshme pyjore në këtë qark është bërë mjaft alarmante. Gjendja është rënduar jo vetëm për shkak të shtimit të përmasave që kanë marrë zjarret, por edhe për shkak të pamundësisë së ndërhyrjes me mjete në zonat e përfshira nga flakët si pasojë e terrenit malor. Nga Shtabi i Emergjencave Civile konfirmohet se në nënprefekturën e Gramshit janë mjaft aktive tri vatra zjarri, ndërsa në atë të Librazhdit dy të tilla.
DIBER

Flakët e zjarrit mbi Bulqizë

Kryetarët e njësive vendore në qarkun e Dibrës kërkojnë ndihmën e strukturave të specializuara të shtetit, pasi zjarret që kanë përfshirë masivet pyjore po bëjnë kërdinë. Ende nuk është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile, por kryetarët e komunave ku vatrat e zjarrit kanë përfshirë pyje të lartë dhe kullota, lëshojnë sinjalin SOS, pasi dëmi ekonomik kap shifra alarmante. Kryetari i Fushë-Bulqizës tha se po vihen në rrezik 10 shtëpi banimi në fshatin Kocaj. “I gjithë fshati prej tri netësh është pa gjumë. Përpjekjet e banorëve për të shuar zjarret kanë rezultuar pa sukses. Erdhën dy zjarrfikëse, por nuk arritën ta shuanin zjarrin”, theksoi Fluturim Zeneli, kryetar i komunës Fushë-Bulqizë. Ai shtoi se tri vatra të tjera zjarri janë aktive në fshatin Dragu. I është kërkuar prefektit të qarkut Dibër, Genci Sharku, të mundësojë dërgimin e një helikopteri, mirëpo deri në mbërritjen e tij të tjera masive po digjen. Sipas Zenelit, forcat e Ushtrisë nuk kanë mjetet e duhura për kësi rastesh.
SHKODER
Ky qark është ndër më problematikët, pasi në të janë regjistruar dje 11 vatra zjarri. Dy prej tyre janë aktive në fshatin Lekaj, komuna Shalë dhe në fshatin Plan, komuna Pult. Në rrethin Pukë janë aktive 8 vatra zjarri, por më problematikë janë në fshatin Orosh, të komunës Qafë-Mali dhe vatra në pyllin me pisha në fshatin Flet, komuna Blerim. Zjarre në vazhdim të tjerë janë: në malin e Krrabit, fshati Midë, në fshatin Fusha e Korit, komuna Qelëz dhe në Qafën e Sharrit. Në rrethin e Malësisë së Madhe, dje ishte vetëm një vatër zjarri në fshatin Shkrelë.

Korçë, flakët shkatërrojnë Parkun Kombëtar të Bozdovecit
KORÇE – Flakëve të zjarrit në qarkun e Korçës nuk kanë mundur t’u shpëtojnë as pikat turistike dhe as parqet kombëtare. Pas zjarrit të fuqishëm i cili përfshiu kurorën e pishave në fshatin turistik të Voskopojës, një tjetër zjarr ka përfshirë këtë herë Parkun Kombëtar të Bozdovecit. I njohur ndryshe edhe si “Bredhi i Bozdovecit”, pylli i dendur është përfshirë nga flakët intensive, të cilat në pak orë kanë shkaktuar dëme të mëdha. Rreth 50 hektarë bredh i dendur është shkrumbuar, ndërsa ndërhyrja ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të vështirë, por edhe dendësisë së lartë të pyjeve, e cila pengon kalimin e automjeteve zjarrfikëse. Sipas të dhënave, zjarri është përhapur në një rreze rreth 10 km dhe vijon të jetë totalisht jashtë kontrollit, pavarësisht se janë duke punuar me krahë rreth 100 persona për të shmangur përhapjen e tij të mëtejshme. Sipas të dhënave është duke u punuar për ngritjen e brezave të dheut, por flakët përpijnë njëra pas tjetrës pyjet pa mundur të izolohen. Zjarri rrezikon dhe Dardhën e Boboshticën, dy fshatra të tjerë turistikë të njohur për pyjësinë e tyre, ndërsa sipas drejtuesve të Shërbimit Pyjor e vetmja zgjidhje do të ishte ndërhyrja nga ajri. E gjithë pyjësia masive është nën flakë prej orësh të tëra, ndërsa dyshohet se thuajse në të gjitha rastet kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme për hapjen e kullotave të reja.                       dh.d

Zjarret
Dibër    4 vatra
Elbasan    1 vatër
Kukës    6 vatra
Korçë    1 vatër
Lezhë    2 vatra
Shkodër    11 vatra
Tiranë    2 vatër
Durrës    1 vatër

© Panorama.al

Te lidhura