Nuk kishte shtëpi ku të rrinte, shqiptari rikthehet në burg

Aug 15, 2011 | 11:23
Florian Limonaj

Gjykata italiane e ka ndihmuar një shqiptar duke i caktuar masën “arrest shtëpie”, por fati e ka lënë në baltë duke e rikthyer në qeli, pasi nuk kishte më një shtëpi për ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Bëhet fjalë për një shtetas shqiptar që ndodhej në Burgun e Riminit në Itali, që prej 5 janarit 2011, i akuzuar për një grabitje. Edhe pse ka rifituar lirinë, ai është detyruar të kthehet në qeli, pasi nuk kishte një çati për të futur kokën dhe e dashura e kishte braktisur. Mediat italiane e quajnë “fatkeq” shqiptarin Florian Limonaj, për të cilin Gjykata e Riminit vendosi ta lërë në “arrest shtëpie”, por, pasi doli nga qelia, ai nuk e kishte më një shtëpi. Madje nuk e gjeti më as të dashurën me të cilën bashkëjetonte para se të arrestohej nga policia. Ndërsa pronari i shtëpisë ku jetonte me qira nuk pranoi që ta lejonte për të jetuar sërish aty. Në këto kushte, pa e menduar më gjatë, Florian Limonaj pa si zgjidhje të vetme qelinë. Ai u paraqit sërish në Burgun e Riminit ku kishte qëndruar prej rreth shtatë muajsh. Sipas medieve italiane, Limonaj sapo është rikthyer në burg ka dashur t’u bëjë të qartë edhe një herë autoriteteve se ai është i pafajshëm.
ARRESTIMI
Florian Limonaj, 37 vjeç, si dhe dy persona të tjerë u arrestuan më 5 janar të këtij viti në një qendër tregtare në Rimini, pasi akuzoheshin për grabitjen e një argjendarie. Në atë ngjarje ishin tri persona të maskuar të cilët rrëmbyen sende të çmuara dhe ora “Rolex”, vlera e të cilave sipas pronarit ishte 300 mijë euro. Policia e mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes fillimisht gjeti një kapuç që dyshohej se ishte përdorur si maskë nga një prej grabitësve. Më pas erdhi edhe arrestimi i tre autorëve. Zgjatja e gjykimit për shtetasin shqiptar, Florian Limonaj, është bërë pasi analizat e ADN që janë bërë për disa fije floku të gjetura në kapuç, nuk përputheshin me atë të shqiptarit 37-vjeçar. Për këtë arsye ai ka kërkuar vazhdimisht pafajësinë, të cilën e mori në një farë mënyrë disa ditë më parë, por u detyrua të rikthehej në qeli, pasi nuk kishte kushte për të ekzekutuar vendimin e gjykatës që caktoi masën “arrest shtëpie”.         et.de

MEDIA ITALIANE

“Florian Limonaj është 37-vjeçari që nuk e ka pasur fatin në anën e tij, as kur u arrestua më 5 janar për një grabitje që ende nuk është e sigurt nëse e ka kryer ai apo jo dhe as tani që arriti të fitonte një masë sigurimi më të lehtë, atë të “arrestit shtëpiak”, por nuk mundi të qëndronte më shumë se 2 orë jashtë qelisë ku u rikthye sërish. Pronari i shtëpisë ku jetonte me qira, nuk e lejoi më të qëndronte aty”. Kështu shkruanin dje mediat italiane.

© Panorama.al

Te lidhura