Nuk ka para, ulen abuzimet në shtet

May 10, 2012 | 14:10

Kreu i KLSH, Bujar Leskaj

Tabela me shkeljet e zbuluara: Nuk arkëtohen qiratë e pronave shtetërore, abuzime edhe me prokurimet.

Raporti i KLSH: Dëmi për tre muaj, vetëm 2.2 milionë USD.

Administrata ka kryer më pak abuzime me fondet publike dhe nuk mund të thuhet prerë që efekti ka qenë si rezultat i luftës kundër korrupsionit.
Duket se më shumë se një ndërgjegjësim i administratës, ndikim në uljen e shifrave të abuzimit ka luajtur fakti që për shkak të krizës paratë janë dhënë me “pikatore” dhe kontrolli është më i lehtë. Në buletinin e tremujorit të parë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton një shifër dëmi prej 221 milionë lekësh, një shifër e ulët kjo po ta krahasosh me shifrat marramendëse që KLSH ka publikuar më herët.
Raporti
Në tremujorin e parë të këtij viti, KLSH kishte planifikuar që të zhvillonte 36 kontrolle, por në fakt puna ka vijuar me më shumë se dyfishim të objektivit, duke përgatitur dokumentacion për plot 85 kontrolle. Sipas të dhënave aktuale rezulton që 37 kontrolle kanë përfunduar e evaduar, 32 kanë përfunduar si proces, por janë të paevaduar, dhe 16 janë në proces kontrolli. “Nga kontrollet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 221.4 milionë lekësh. Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2009-2011, përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar në programet e kontrollit”, thuhet në buletinin e KLSH-së. Ky i fundit ka rekomanduar zhdëmtimin në masën 100 për qind të dëmit. Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit detajon se për 3-mujorin e parë ka marrë gjithsej 96 letra dhe ankesa, nga të cilat 18 ishin jashtë kompetencave të tij si institucion, kurse për 78 të mbeturat  deri tani është kthyer përgjigje për 13 prej tyre, të cilat janë verifikuar, kurse 65 të tjera janë në procedurë.
Sektorët me abuzime
Kontrolli i Lartë i Shtetit nxjerr në pah në raportin e 3-mujorit se nga kontrollet e zhvilluara, sektori që mban numrin një në abuzim është ai i shitjes dhe qiradhënies së pasurisë shtetërore. Dëmi i konstatuar në këtë sektor është 47 milionë lekë. Në fushën e prokurimeve, sërish nga ana e KLSH-së janë vërejtur shkelje me një dëm prej 32.2 milionë lekësh, çka e kthen këtë sektor në të dytin për nga vlera e dëmit total. Doganat, nga ana tjetër, renditen të tretat dhe kanë një dëm prej 4.3 milionë lekësh, kurse në sistemin e pagave dëmi është 11.6 milionë lekë. Te Tatimet dëmi i konstatuar kap shifrën 10 milionë lekë, kurse te shpenzimet operative një dëm prej 6 milionë lekësh. Shkelje dhe abuzime ka edhe në fushën e urbanistikës, shpërblimeve në vlera më modeste se sa të mësipërmet.

Demet
.    Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, 47. 2 milionë lekë
.    Në fushën e prokurimeve, në vlerën e përgjithshme, 32.2 milionë lekë
.    Në Dogana, në vlerën e përgjithshme 4.3 milionë lekë
.    Në fushën e sistemit të pagave, 11.6 milionë lekë
.    Në Tatim-Taksa, 10.7 milionë lekë
.    Në fushën e shpenzimeve operative, 6 milionë lekë
.    Në fushën e urbanistikës, 8.5 milionë lekë
.    Në fushën e shpërblimeve, 87 mijë lekë
.    Në zërin “Të tjera”, 100.4 milionë lekë, nga të cilat: ALUIZNI, 92 milionë lekë

.    Dëmi total i konstatuar nga KLSH, 221.4 milionë lekë

Dëmi nga ALUIZNI
Një ndër institucionet që bie në sy për dëmin shkaktuar është ALUIZN-i, për të cilin KLSH publikoi edhe një raport të detajuar më herët lidhur me shkeljet dhe dëmin në buxhet. Sipas kontrolleve në këtë 3-mujor, të përmbledhura në buletin, ALUIZNI qendror dhe drejtoritë rajonale kanë shkaktuar një dëm gati 92 milionë lekë nga mosllogaritja e saktë e vlerave të parcelave ndërtimore të penaliteteve dhe taksave vendore për 94 objekte. Të përfshira në zërin “Të tjera” shkeljet e zyrës qendrore të ALUIZNI-it, të Drejtorisë së Durrësit, ALUIZNI-it rajonal të Tiranës, janë në vlerat respektive 51.9 milionë lekë, 31.5 milionë lekë, 8.7 milionë lekë.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura