Buka shitet jashtë standardeve të higjienës dhe është domosdoshmëri vendosja e rregullave të reja në treg. Ndonëse Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit nuk ka dhënë afate, pritet që të vendoset si kusht për prodhuesit etiketa dhe paketimi me ambalazhe letre. Gjatë tryezës së zhvilluar dje mes përfaqësuesve të AKU-t dhe Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, u ngrit dhe një tjetër problem. Prerjes së bukës në feta, e cila i lehtëson mjaft konsumatorët, shihet si mjaft shqetësuese nga ekspertët. “Ky fenomen është mjaft shqetësues për AKU-n dhe, rrjedhimisht, për konsumatorin, pasi është një proces aspak higjienik dhe me dëm të madh për këdo që blen apo kërkon bukë, e cila i nënshtrohet këtij lloj procesi. AKU do të përqendrohet plotësisht në eliminimin e kësaj dukurie”, tha kreu i AKU-t, Genc Juka. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Gëzim Peshkëpia, ka kërkuar të luftohet informaliteti dhe t’u jepet prioritet prodhuesve të bukës që janë të licencuar. “Nga një llogari e thjeshtë e konsumimit mesatar të bukës, banorëve dhe sasisë së furrave, del se rreth 50 për qind e kapaciteteve prodhuese të furrave janë të lira. Shtimi i prodhimit te furrat e licencuara do të sillte shfrytëzim më të mirë të fuqisë punëtore, i makinerive dhe i pajisjeve, dhe për vetë specifikën artizanale të prodhimit, edhe bukë me cilësi më të lartë dhe të kontrolluar nga institucionet”, tha Peshkëpia. Disa javë më parë, prodhuesit e bukës kërkuan edhe standardizimin e peshës. Sipas tyre, për bukë të ndryshme të kishte një peshë të përcaktuar më parë, ndërkohë që çmimi të vendoset nga vetë tregtarët, duke studiuar dhe tregun. Kreu i AKU-t u bëri apel konsumatorëve që të jenë selektivë në zgjedhjen e produkteve. “Konsumatorët duhet të tregojnë vëmendje në ambalazhimin dhe etiketimin e këtij produkti ushqimor dhe të refuzojnë të përdorin apo të blejnë çdo lloj produkti, jo vetëm bukën, i cili nuk ka etiketë në gjuhën shqipe ku të përshkruhen përbërësit e tij”, tha Juka.
Ngjyruesit
Miell i lirë, i bardhë dhe i një cilësie të dobët. Prodhuesit i shtojnë ngjyrues dhe qytetarëve u serviret një bukë e zezë, shpesh edhe dietike. Shqetësimi është ngritur më parë nga shoqatat e mbrojtjes së konsumatorëve, ndërsa tani vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se abuzohet me sasinë e majasë dhe ngjyruesit.











