Nuk ka grumbullim, drejt Argjentinës si amatorë

Jun 17, 2011 | 9:22

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Madje, edhe në kohën e trazirave të pas vitit 1990 dhe në periudhën e luftës civile ’96-’97. Kombëtarja, para çdo ndeshjeje, qoftë edhe ndaj një skuadre tejet mediokre, kishte bërë një grumbullim normal, ndërsa kur për herë të parë na bie të luajmë me një prej pesë skuadrave më të mira në planet, jemi totalisht në kaos. Trajneri Kuzhe nuk di ende se cilët lojtarë do të ketë në dispozicion, paçka se emra nga goja nxjerr më shumë se 19-20, ndërsa zyrtarët e Federatës pohojnë se kanë marrë të gjitha masat për një prag-ndeshje serioze, ndërkohë që nga ana tjetër sot në orën 12:00 çdo futbollist që do të udhëtojë drejt Argjentinës, do të vijë për hesap të vet në aeroport, pasi realisht nuk ka një grumbullim normal të skuadrës Kombëtare.
Paradoksi – Në stërvitjen e djeshme u panë në fushë 13 lojtarë që stërviteshin, si dhe mbrojtësi Kristi Vangjeli, i cili nuk u zhvesh fare, duke qëndruar buzë fushës, ndonëse e konfirmoi prezencën e tij me kuqezinjtë. Ndërkaq, trajneri Kuzhe në fund të stërvitjes pohonte se do të kishte edhe pesë-gjashtë lojtarë të tjerë që do t’i bashkoheshin skuadrës ditën e sotme. Por, fakt është se, për të shkuar deri në Romë (Itali), çdonjërit prej lojtarëve u nevojitet veç pasaporta, por drejt Argjentinës të gjithë duhet të pajisen me vizë. Zyrtarët e Federatës pohuan se brenda orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme do të ishin të gjitha pasaportat gati me viza përkatëse, ndërsa të paktën për një rast, me mbrojtësin e Flamurtarit, Franc Veliu, një gjë e tillë nuk dihet se si mund të realizohej, përderisa lojtari dje ishte në Ohër (Maqedoni) dhe u lajmërua se ishte pjesë e Kombëtares vetëm në orën 20:00. Ndërkaq, u tha se me ekipin do të vinin edhe Allmuça, Salliaj e Kapllani, por edhe për këta nuk u dha asnjë informacion.
Grumbullimi – Pas stërvitjes, të gjithë lojtarët u kthyen në shtëpitë e tyre, a thua se kishin bërë një stërvitje normale me klubin në një ditë jave. Normalisht, edhe me klubet, thuajse shumicën e rasteve, skuadrat grumbullohen të paktën një ditë para ndeshjes dhe më pas ndërmarrin udhëtimin kur janë në transfertë, ndërsa duket krejt qesharake të mendosh që pas dy ditësh do të luajmë me Argjentinën e Lionel Mesit e Karlos Tevezit dhe kuqezinjve “nuk u nevojitet” aspak grumbullimi. Sipas informacioneve, të gjithë lojtarët do të takohen sot në orën 12:00 në Rinas, nga ku do të udhëtojnë drejt Romës. Aty parashikohet që skuadrës t’i bashkëngjiten edhe Kapllani e Agonit Sallaj. Ndërsa rreth orës 16:00 është nisja drejt Buenos-Aires, një udhëtim që zgjat gati 12 orë.

© Panorama.al

Te lidhura