
Si u transmetua politika monetare te bankat dhe borxhi i qeverisë.
Qytetarët dhe qeveria, huamarrje me “çmim” të lartë.
Norma bazë e interesit të lekut, e ulur në nivele rekord 4.25 për qind me synimin e stimulimit të aktivitetit ekonomik në vend, është reflektuar në tregjet financiare, por me limitime.
Ekspertë të Bankës së Shqipërisë pohojnë se çmimi i letrave me vlerë të qeverisë, kreditë dhe depozitat në lekë janë ndikuar, por jo të gjitha njëlloj. “Te depozitat në lekë, efekti ka qenë më i madh dhe është reflektuar ulja e normës bazë të lekut, kurse sa u përket interesave të yeild-it dhe kredisë, përcjellja ka qenë më e dobët”, vlerëson BSH. Por, çfarë reflekton në vetvete kjo situatë? Bankat janë treguar më të gatshme të mbajnë depozita më “të lira” në kohën kur këto të fundit janë rritur si efekt i sjelljes konservatore të qytetarëve për shpenzime. Sikundër vlerësohet në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti të Bankës së Shqipërisë, rritja e parasë në ekonomi është e qëndrueshme. Rrjedhimisht mendohet se një normë interesi më e ulët e lekut do të reflektohet edhe te kreditë më të lira dhe një borxh më i lirë edhe për qeverinë nga letrat me vlerë të saj, por nuk ka ndodhur kështu. Bankat, nën efektin e situatës aktuale të rritjes së nivelit të kredive të këqija, kanë preferuar që të japin më pak kredi për qytetarët dhe për qeverinë dhe për të balancuar këtë sjellje, interesi ka qenë jo me ecurinë e normës së lekut. Pra, në njërën anë kemi shumë depozita, por “më të lira”, dhe në anën tjetër kemi pak kredi, por “më të shtrenjta”. Kjo sjellje, në fakt, është krejt e kundërta e asaj që pritej të arrihej kur u ndërmorën uljet e njëpasnjëshme të normës bazë të interesit. Theksi i guvernatorit në daljet e tij publike ka qenë nxitja e aktivitetit ekonomik përmes stimulimit me kredi më të lira për biznesin, por duket se kjo politikë në kohë të tilla nuk ka funksionuar. Bankat kanë preferuar që të mbajnë pozicionin e sigurt me më pak kredi afatshkurtra dhe me normë interesi të leverdishme për to dhe depozita me një normë interesi të afektuar nga ulja e normës së lekut në 4.265 për qind.
Rriten remitancat dhe IHD
Në tremujorin e parë të këtij viti ka pasur një rritje të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Banka e Shqipërisë vlerëson se remitancat në janar-mars u rritën me 14.3 për qind, krahasuar me 2011, ndërsa investimet e huaja direkte u rritën rreth 25 për qind.
Energjia thellon deficitin
Deficiti tregtar i zhveshur nga efekti dhe pesha që ka importi i energjisë elektrike në tre muajt e parë të këtij viti është ngushtuar, sipas Bankës së Shqipërisë. Por, nëse në këtë deficit përfshijnë edhe shkëmbimet tregtare të energjisë, thellimi për janar-shkurt i deficitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, është gati 21.9 për qind.
Inflacioni
Banka e Shqipërisë në asnjë moment nuk vlerëson se Shqipëria rrezikon një situatë deflacioni. Përkundër vlerave të ulëta që ka pasur inflacioni në muajt e parë të këtij viti, ekspertët e Bankës së Shqipërisë parashikojnë që në vijim ai të jetë brenda objektivit. Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni muajt në vijim për vitin 2012 do të jetë në limitet mes 0.7 dhe 2.8 për qind, ndërkohë që sipas objektivit të Bakës së Shqipërisë, inflacioni duhet të jetë 3 për qind +/-1. Për tremujorin e parë të këtij viti, mesatarja e inflacionit vlerësohet të jetë 1.1 për qind.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











