Noka: PS jep shifra politike për krimin

Sep 4, 2012 | 11:45

Ministri i Brendshëm, Noka dhe Deputeti Sajmir Tahiri

Replika mes qeverisë dhe opozitës për krimin dhe zjarret në vend.

Tahiri: Pas 10 muajsh ne në pushtet, do luftojmë krimin.

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, iu përgjigj akuzave të kreut socialist Edi Rama për situatën e rendit në vend. Gjatë një prononcimi për gazetarët, Noka tha se “mbi 98% e shkelësve të ligjit janë zbuluar, ndërkohë në 100% të rasteve të vjedhjeve autorët përballen me drejtësinë”. Noka hodhi poshtë akuzat e PS-së, duke i cilësuar ato si të pabaza. Sipas Nokës, opozita nuk mund të dalë me shifra të prodhuara nga selia rozë, pasi krimi nuk ka ngjyrim politik. “Opozita nuk mund të dalë duke fërkuar duart, pasi kjo nuk është situatë që ndodh nga njerëz me ngjyrime politike, janë shifra rekord të zbulimit të krimit dhe të arrestimit, mbi 98% janë ndaluar, qoftë për vrasjet, aksidentet dhe vjedhjet. 100% e rasteve të vjedhjeve janë zbuluar, autorët janë ndaluar dhe janë dërguar para drejtësisë. PS duhet pikësëpari t’i bashkëngjitet vullnetit të maxhorancës, për të shtrënguar darën e ligjit”, deklaroi Noka. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për parapërgatitjen e zgjedhjeve elektorale të vitit 2013, Noka e cilësoi të turpshme nismën e opozitës, që të operohet me operacione zgjedhore që ai i etiketoi si “paramilitare”. Duke reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm, deputeti i Partisë Socialiste Sajmir Tahiri tha se qeveria fajëson vetëm opozitën, ndërsa premtoi se situata në vend  do të ndryshojë pas 10 muajsh, kur PS të vijë në pushtet. “E vetmja logjikë e këtij pushteti është të fajësojë opozitën. E falënderojmë ministrin për thirrjet e solidaritetit, por i kujtojmë se Kryeministri i tij nuk ka thënë deri më sot asnjë fjalë për zjarret dhe as për jetët e humbura të shqiptarëve nga krimi e aksidentet. Qytetarët e kuptojnë që fajin nuk e ka opozita, por qeveria e Berishës, prej 8 vitesh në pushtet. Ne do luftojmë krimin pas 10 muajsh, kur të vijmë në pushtet, deri atëherë do luftojmë këtë qeveri të korruptuar”, u shpreh Tahiri.

© Panorama.al

Te lidhura