
Liderët perëndimorë akuzohen për gënjeshtra, standarde të dyfishta në gjykim.
Një fitues i çmimit “Nobel” për Paqen ka kërkuar që ish-kryeministri britanik, Toni Bler dhe ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush, të gjykohen në Hagë si autorë të përçarjes dhe konflikteve në Lindjen e Mesme. Arqipeshkvi Desmond Tutu ka bërë thirrje që për gjykimin e tyre për krime lufte, për rolin në luftën e Irakut, madje edhe krijimin bazave për situatën e tanishme në Siri dhe siç pritet më vonë, edhe Iran. Nobelisti tha se ish-liderët kanë gënjyer mbi ekzistencën e armëve të shkatërrimit në masë dhe kanë nisur një pushtim, i cili e ka lënë botën më të destabilizuar dhe të ndarë se çdo konflikt tjetër në histori. Ai tha se aksionet e SHBA-ve dhe Britanisë për të rrëzuar Sadam Huseinin në vitin 2003 kanë krijuar terren për luftën civile aktuale në Siri dhe një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme, që përfshin edhe Iranin. Sipas tij, “liderët e atëhershëm të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe kanë fabrikuar bazat për të na ndarë edhe më shumë. Ata na kanë shtyrë në buzë të greminës, ku tani po qëndrojmë me spektrin e Sirisë dhe Iranit

përpara nesh”. Sa për gjykimin në Hagë, Tutu tha se ekzistojnë standarde të ndryshme për gjykimin e liderëve afrikanë dhe atyre perëndimorë. “Numri i të vdekurve gjatë dhe pas konfliktit të Irakut ishte i mjaftueshëm që Bush e Bler të gjykoheshin”, deklaroi ai. I njohur si një kritik i ashpër i luftës në Irak, arqipeshkvi Tutu u largua nga një konferencë e Afrikës së Jugut gjatë javës së kaluar vetëm se në të merrte pjesë edhe Bler. Në një reagim të tij, Bler tha se: “Kam shumë respekt për luftën e arqipeshkvit Tutu kundër aparteidit, ku ne kemi qëndruar në të njëjtin kah të argumentit, por përsëritja e lajmit të vjetër që kemi gënjyer në lidhje me informacionet e shërbimeve sekrete, është krejtësisht i gabuar, ashtu siç ka treguar çdo analizë e pavarur e provave”.
© Panorama.alKush është arqipeshkvi Tutu
Desmond Mpilo Tutu, 81 vjeç, është një aktivist i respektuar afrikano-jugor dhe arqipeshkv anglikan, i cili u bë i njohur në të gjithë botën për luftën e tij kundër Aparteidit. Ai ishte arqipeshkvi i parë më ngjyrë i Keip Taun në Afrikën e Jugut. Tutu ka qenë aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ka përdorur influencën e tij për të ndihmuar të shtypurit. Ai ka bërë fushatë për luftën kundër AIDS, tuberkulozit, varfërisë, racizmit, seksizmit, homofobisë dhe transfobisë. Tutu ka marrë çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1984; Çmimin për humanizmin, “Albert Schueitzer” në vitin 1986; Çmimin “Pacem in Terris” në 1987; Çmimin e Paqes, Sidnej, 1999; Çmimin e paqes “Gandhi” në vitin 2005; dhe Medalje Presidenciale për Lirinë, në vitin 2009.











