Njohja e pensioneve, Italia akordon 12 milionë euro fonde për shqiptarët! Për implementimin pritet miratimi i marrëveshjes në seancë plenare

Oct 5, 2024 | 8:15
SHPËRNDAJE

Një hap më tej në njohjen e pensioneve midis Shqipërisë e Italisë. Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, bëri me dije dje se Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali miratuan amendamentin për alokimin e fondeve në kuadër të ratifikimit dhe zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë për Sigurinë Sociale, e cila u nënshkrua në Romë, më 6 shkurt 2024.

q1

Për vitin 2025 u miratua një fond prej 12 milionë eurosh; 13.6 milionë euro për vitin 2026; 13.1 milionë euro për vitin 2027; 15.1 milionë euro për vitin 2028; 17 milionë euro për vitin 2029; 19.3 milionë euro për vitin 2030; 21.3 milionë euro për vitin 2031; 23.4 milionë euro në vit për të gjitha vitet e mëpasshme duke filluar nga viti 2032.

Projektligji u miratua nga Parlamenti i Shqipërisë më 16 maj. Objekti i kësaj marrëveshjeje përfshin përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, duke përfshirë sigurimet për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, si dhe sigurimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësisë.

PERFITUESIT

Janë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje dhe rreth 4 mijë shtetas italianë në Shqipëri. Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.

Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë. Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveria është në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave me Francën.

Objekti i kësaj marrëveshjeje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë: sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura