
MOSKE- Serbia nuk ka ndërmend të njohë Kosovën si shtet të pavarur, ka thënë presidenti i zgjedhur serb, Tomisllav Nikoliç.
“Ne nuk mund ta njohim Kosovën, edhe me kushtin e ndërprerjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Megjithatë, unë nuk kam dëgjuar se duhet njohur Kosova, para se t’i bashkohemi BE-së”, ka thënë Nikoliç.
Nikoliç i ka bërë komentet në Moskë gjatë takimit të tij me homologun rus, Vladimir Putin.
Ky i fundit ka premtuar se do të vazhdojë të mbështesë qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës. Putin po ashtu është zotuar se do të lëshojë 800 milionë dollarë kredi për Serbinë.
“Ne e shohim Serbinë jo vetëm si partner tonin tradicional dhe shumë të rëndësishëm në Ballkan, por serbët janë edhe vëllezërit tanë shpirtërorë”, ka thënë Putin.
Nikoliç, i cili do të inaugurohet më 1 qershor, ka bërë vizitën e parë në Moskë, pas zgjedhjes së tij në postin e presidentit më 20 maj. Ish-ultranacionalisti serb është zotuar se do të vazhdojë të ndjekë rrugën evropiane për Serbinë, por, në të njëjtën kohë do të vazhdojë të mbajë edhe lidhjet tradicionalisht të forta me Rusinë.
© Panorama.al











